ROMË – Papa Leone XIV emëron Tagle në krye të Kolegjit të Kardinalëve, rol kyç në zgjedhjen e papës së ardhshëm
ROMË, 9 tetor /ATSH-ANSA/- Papa Leone XIV ka konfirmuar kardinalin filipinas, Luis Antonio Tagle si dekanin e ri të Kolegjit të Kardinalëve, njoftoi sot Vatikani.
Në këtë detyrë, Tagle do të drejtojë procesin e zgjedhjes së papës së ardhshëm, në rast se një ditë papa Leone XIV nuk jeton më ose jep dorëheqjen.
Tagle, 69 vjeç, zëvendëson kardinalin italian Giovanni Battista Re, 92 vjeç, dorëheqjen e të cilit nga kjo detyrë, e ka pranuar papa Leone XIV.
Re e mbante këtë post që nga viti 2020 dhe ka qenë një figurë e rëndësishme në ceremonitë kryesore të Vatikanit.
Dekani i Kolegjit të Kardinalëve ka detyra veçanërisht të rëndësishme kur një papë vdes ose jep dorëheqjen.
Ai thërret në Romë kardinalët që kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhjen e papës së ri, drejton mbledhjet përgatitore dhe mban predikimin, para se kardinalët të hyjnë në Kapelën Sistine. Ai gjithashtu drejton vetë procesin e zgjedhjes së papës.
Kardinali Re kreu pothuajse të gjitha këto detyra pas vdekjes së papa Françeskut, në prill të vitit 2025.
Megjithatë, për shkak të kufirit të moshës prej 80 vjeç për pjesëmarrjen në konklavë, ai nuk mundi ta drejtonte procesin e zgjedhjes së papës së ri. Edhe zëvendësi i tij u largua për të njëjtën arsye.
Për këtë arsye, detyrën e drejtimit të konklavës e mori kardinali Pietro Parolin, 71 vjeç.
Sipas Selisë së Shenjtë, Tagle u zgjodh dekan i ri nga anëtarët e grupit të kardinalëve-ipeshkvij, që përbën rangun më të lartë të kardinalëve në Kishën Katolike, pas papës.
Tagle mban gjithashtu detyrën e pro-prefektit të Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin, institucioni përgjegjës për përhapjen e besimit katolik.
Një dikaster i Vatikanit është i ngjashëm me një ministri në një qeveri shtetërore. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.