RUSI – Katër viktima pas një sulmi masiv ukrainas me 1 198 dronë
MOSKË, 13 nëntor /ATSH-AFP/- Rusia njoftoi sot se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore kanë interceptuar dhe shkatërruar 1 198 dronë ukrainas gjatë natës në rreth 20 rajone të vendit.
Sipas autoriteteve lokale sulmi shkaktoi katër viktima në rajonin e Volgogradit.
Ky konsiderohet si një nga sulmet më të mëdha me dronë ndaj territorit rus që prej nisjes së ofensivës së gjerë ushtarake kundër Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.
Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, dronët u shkatërruan në disa rajone, përfshirë edhe atë të Moskës. ë goditura ishte rajoni i Volgogradit, në jug të Rusisë, ku humbën jetën katër persona, të gjithë punonjës të një zone industriale.
Guvernatori rajonal, Andrej Boçarov, bëri të ditur se dy persona të tjerë u plagosën dhe u dërguan në spital. Zona industriale ku ndodhi sulmi përfshin, ndër të tjera, një rafineri nafte dhe një ndërmarrje kimike.
Sulmi ndodhi një ditë pas vizitës në Moskë të të dërguarve amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të cilët zhvilluan bisedime me presidentin rus Vladimir Putin. Më pas, ata u takuan në Dublin me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, në kuadër të përpjekjeve intensive diplomatike për t’i dhënë fund luftës.
Ndërkohë, Rusia dhe Ukraina kanë intensifikuar prej muajsh sulmet me rreze të gjatë veprimi, duke goditur gjithnjë e më shpesh objekte industriale, rafineri nafte, depo, porte dhe anije.
Këto sulme po shkaktojnë një numër në rritje viktimash civile në të dyja vendet. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.