Salihu paralajmëron për rrezikun e deepfake: Jo çdo gjë që shohim në internet është e vërtetë
Zhvillimi i inteligjencës artificiale po e bën gjithnjë e më të vështirë dallimin mes një videoje reale dhe një përmbajtjeje të manipuluar.
Këtë çështje e trajtoi ekspertja e sigurisë kibernetike Drenusha Salihu në episodin e dhjetë të podcastit “Rrugëtimi”.
Sipas saj, zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale ka bërë që identifikimi i një deepfake vetëm me sy të jetë gjithnjë e më problematik.
“Është problematike për syrin e thjeshtë sot me identifiku se nëse një video është deepfake apo jo”, tha Salihu.
Ajo shpjegoi se ekspozimi i vazhdueshëm në rrjetet sociale, ku publikojmë video, zërin dhe fotografitë tona, krijon mundësi që këto materiale të përdoren për manipulime.
Sipas saj, ekziston rreziku që të krijohet një video ku një person paraqitet duke bërë diçka që në realitet nuk e ka bërë.
Salihu tha se ekzistojnë teknologji më të avancuara që mund ta analizojnë një video dhe të përcaktojnë nëse është deepfake, por kjo është shumë më e vështirë për qytetarët e zakonshëm.
“Për ne qytetarët e thjeshtë është mjaft e vështirë të identifikohet”, tha ajo.
Në vend se të besojnë automatikisht çdo video apo audio që shohin online, Salihu rekomandoi që përdoruesit ta zhvillojnë një kulturë verifikimi dhe mosbesimi.
“Jo gjithçka që shohim në internet, qoftë video edhe zë, është njëqind për qind reale”, u shpreh ajo.
Salihu tregoi se edhe në rrethin e saj familjar ka pasur raste kur njerëzit janë mashtruar nga video deepfake të përdorura për promovimin dhe shitjen e produkteve të caktuara.
Sipas saj, në këto materiale janë përdorur fytyra të personave publikë për t’i paraqitur sikur po rekomandonin produkte të caktuara.
Pikërisht për këtë arsye, ajo bëri thirrje që çdo informacion i parë në internet të verifikohet edhe nga burime të tjera.
Salihu theksoi se fakti që një person publik shihet duke folur për një temë apo produkt nuk duhet të konsiderohet automatikisht si dëshmi se materiali është autentik. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.