Rasti i Arlinda Zekajt, Komisioni hetimor mban sot mbledhje – intervistohen pesë dëshmitarë para deputetëve, mes tyre kryetari i Pejës
Komisioni Hetimor Parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt pritet të intervistojë sot pesë dëshmitarë, përfshirë kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Mbledhja e Komisionit do të nisë në orën 08:30, ndërsa intervistimi i dëshmitarëve është paraparë të fillojë në orën 09:30.
Para Komisionit pritet të paraqiten Toska Gega, menaxhere e rastit në Qendrën për Punë Sociale (QPS) në Pejë; Durim Kelmendi, udhëheqës në QPS; Shpat Morina, zyrtar i kësaj qendre; Shpresa Lukaj, drejtuese e QPS-së në Pejë; si dhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Intervistimi i tyre zhvillohet në kuadër të hetimit parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje.
Dëshmitë pritet të zhvillohen vetëm pak ditë pasi një inspektim në QPS-në e Pejës konstatoi shkelje të shumta në trajtimin e rastit të së ndjerës.
Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare njoftoi tri ditë më parë se inspektimi kishte evidentuar mosrespektim të afatit gjyqësor, neglizhencë në përmbushjen e detyrave, mosveprim sipas detyrës zyrtare dhe mungesë të mbikëqyrjes profesionale.
Pas këtyre gjetjeve, Divizioni i Inspektimit i ka rekomanduar kryetarit të Komunës së Pejës ndërmarrjen e masave disiplinore ndaj menaxheres së rastit, T. G., dhe udhëheqësit të Shërbimeve Sociale, D. K.
Po ashtu, është kërkuar rritja urgjente e kapaciteteve të stafit profesional në Qendrën për Punë Sociale në Pejë.
Komisioni Hetimor Parlamentar kryesohet nga Burim Ramadani i AAK-së, ndërsa zëvendëskryesues është Adnan Rrustemi i LVV-së.
Pjesë e Komisionit janë edhe deputetët Armend Baloku, Arijeta Rexhepi, Osman Musliu dhe Adelinë Tërshani nga LVV-ja; Besa Kabashi-Ramaj dhe Eman Rrahmani nga PDK-ja; si dhe Doarsa Kica-Xhelili nga LDK-ja. Komunitetet përfaqësohen nga Jovana Radosavljeviq dhe Emilija Rexhepi.
Komisioni synon të shqyrtojë përgjegjësinë institucionale dhe mangësitë e mundshme në mekanizmat për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.