Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, Costa: Zgjerimi është një mundësi reale, zbatoni reformat
Liderët e Bashkimit Evropian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Bruksel në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor, ku në qendër të diskutimeve ishin perspektiva evropiane e rajonit, procesi i zgjerimit dhe avancimi i negociatave të anëtarësimit.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, rikonfirmoi angazhimin e BE-së për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke u bërë thirrje qeverive të rajonit të vijojnë reformat dhe të mos humbasin mundësinë për t’u bërë pjesë e unionit.
“Situata sfiduese gjeopolitike nënvizon nevojën për lidhje më të ngushta mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Rikonfirmuam perspektivën e anëtarësimit. Mesazhi im është: Ruani ritmin dhe zbatoni reformat që do t’ju çojnë drejt BE-së. Zgjerimi është një mundësi reale dhe duhet shfrytëzuar”, deklaroi Costa.
Në samit morën pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, si dhe anëtarja e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviç. Serbia mungoi për të dytin vit radhazi.
Para nisjes së takimit, kryeministri Edi Rama i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të tregojë guxim dhe të ulë të gjitha vendet kandidate në tryezën e përbashkët, pa cenuar parimin e anëtarësimit të bazuar në meritë.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi urgjente dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën, duke kërkuar avancimin e perspektivës së saj evropiane.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.