Zbardhet plagosja me thikë e 30-vjeçarit në Korçë, u paraqit si polic dhe nisi sherrin në lokal
Detaje të reja janë zbardhur nga plagosja me thikë e 30-vjeçarit Anxhelo Brisku, ngjarje e ndodhur më 22 nëntor. Policia ka arrestuar një 35-vjeçar me inicialet I.M., i dyshuar si autor i plagosjes, ndërsa mësohet se konflikti ka ndodhur në një lokal në fshatin Zvezdë të Maliqit.
Sipas hetimeve, Brisku është paraqitur në lokal duke u prezantuar si punonjës policie dhe më pas ka goditur i pari me sende të forta 35-vjeçarin. Ky i fundit dyshohet se është kundërpërgjigjur duke e goditur me thikë në sup dhe në kurriz.
Në kërkim është shpallur edhe një 30-vjeçar tjetër, i dyshuar për moskallëzim krimi, pasi ka qenë dëshmitar i konfliktit.
Ndërkohë, edhe Brisku është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se ka dhënë deklarim të rremë për ngjarjen. 30-vjeçari ishte paraqitur në spital rreth orës 18:30, me dëmtime të shkaktuara nga një mjet prerës, jashtë rrezikut për jetën dhe ka pretenduar fillimisht se ishte sulmuar nga persona të panjohur në rrugë, në fshatin Neviçisht.
Policia e Korçës njoftoi fillimisht se 30-vjeçari ishte paraqitur në spital rreth orës 18:30, me dëmtime të shkaktuara nga një mjet prerës, jashtë rrezikut për jetën.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.