Lufta Rusi-Ukrainë shtrihet në Mesdhe, Neziri: Kievi mund të përdorë një platformë detare të padukshme
Sulmi ukrainas ndaj një anijeje ruse në Mesdhe, që sipas analizave ka nxjerrë në pah zgjerimin e shtrirjes së luftës përtej zonave tradicionale të konfliktit, u bë temë diskutimi në emisionin “War Report”.
Koloneli Sami Neziri dhe gazetari Egon Loli analizuan rolin e Libisë në praninë ushtarake ruse, pasojat e përdorimit të territorit libian nga forcat e Moskës, si dhe kapacitetet e Ukrainës për të goditur objektiva detare në distanca të largëta.
Sipas tyre, sulmi nuk krijoi një situatë të re në Mesdhe, por bëri të dukshme një realitet që ekzistonte prej kohësh. Ndërkohë, Neziri ngriti dyshime mbi përdorimin e një platforme të veçantë detare nga Ukraina, e cila mund të shërbejë për lëshimin e dronëve pa u identifikuar lehtësisht.
Sami Neziri: Libia ankohet që Ukraina ka kërcënuar integritetin e saj, por Libia duhet të pranojë që ka strehuar baza ajrore që kanë kërcënuar sigurinë e rajonit. Libia e ka hapur territorin e saj.
Egon Loli: Ukraina vetëm hoqi mbulesën e një situate që është atje, nuk e krijoi Ukraina atë. Duke e përdorur Libinë në Mesdhe si dalje të forcave ruse, nuk e krijoi Zelensky me sulmin që bënë. Pyetja do të ishte se çfarë do anija ruse në Mesdhe?! Kjo tregon një zgjerim horizontal të luftës.
Sami Neziri: Ka një platformë, ka një anije Ukraina, sepse ka treguar që nuk është vetëm aktive në Detin Mesdhe, por Baltik dhe Kaspik. Anija ruse që u godit ishte shumë moderne. Është shumë e vështirë të lëshosh një dron detar dhe të mos pikaset nga anija. Versioni më i saktë mund të jetë që Ukraina ka një anije, që nuk duket si anije dhe që lëshon dronë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.