Sektori bankar uli përqendrimin në segmentin e biznesit gjatë vitit 2025
Kredia për biznesin përbën pjesën më të madhe të portofolit të kredisë së sektorit bankar, por pesha e këtij segmenti pësoi përsëri rënie gjatë vitit të kaluar.
Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të vitit 2025 kredia në segmentin e biznesit përbënte 61.5% të portofolit të kredisë së sektorit bankar, nga rreth 63.3% që përbënte në fund të vitit 2024.
Rënia e peshës së segmentit të biznesit ka ardhur kryesisht për shkak të rritjes më të shpejtë të kredisë në segmentin retail në vitet e fundit dhe kryesisht të kredisë për individët dhe familjet.
Veçanërisht kredia për blerjen e banesave, por paralelisht edhe kredia konsumatore është rritur me ritme të larta, duke bërë që pesha specifike e portofolit të individëve të vijë në rritje.
Sidoqoftë, bizneset vazhdojnë të gjenerojnë sasinë më të madhe volumeve të kreditimit të sektorit bankar shqiptar. Në mungesë të zhvillimit të bursës dhe instrumenteve më të sofistikuara financiare, historikisht bizneset në Shqipëri kanë përdorur kredinë bankare si alternativën kryesore të financimit.
Në ndarjen e tregut të kredisë për biznesin sipas vlerës së saj, kryeson Credins Bank, që mban 22% të totalit. Credins është njëkohësisht edhe banka më e madhe kredituese e ekonomisë shqiptare në total.
Vijon Raiffeisen Bank Albania me 14% të portofolit të kredisë për biznesin, Banka OTP Albania, me 13%, dhe Tirana Bank, me 11%. Me pjesë tregu poshtë kufirit të 10% vijojnë Banka Amerikane e Investimeve, me 9%, Intesa Sanpaolo Bank Albania, me 7%, ProCredit Bank, me 5%, Union Bank, me 4%, Banka e Parë e Investimeve Shqipëri, me 3% dhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA), me 2% të portofolit.
Pesha e biznesit ndaj vlerës totale të portofolit e kredisë ka diferenca të konsiderueshme mes bankave të ndryshme dhe qëndron në intervalin mes 40% deri në 80% të portofolit.
Të dhënat e raportuara nga bankat në Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe që bazohen në standardet lokale mbikëqyrëse të raportimit financiar tregojnë se banka me peshën më të lartë të kredisë për biznesin në portofolin e saj është ProCredit Bank Shqipëri. Në fund të vitit të kaluar, më shumë se 77% e tepricës së kredisë së ProCredit i takonte bizneseve.
Peshë mjaft të lartë të kredisë për biznes në strukturën e portofolit vazhdon të ketë edhe Credins Bank, me 76.5% të totalit në fund të vitit të kaluar.
Banka e tretë për nga shkalla e përqendrimit tek segmenti i biznesit është Banka Amerikane e Investimeve, me 74%, e ndjekur nga Banka e Bashkuar e Shqipërisë, me 68% dhe Tirana Bank, me afërsisht 67%.
Për bankat e tjera, pesha e kredisë për biznesin është më e ulët se mesatarja e sektorit, duke filluar nga Intesa Sanpaolo Bank Albania, me 61%, Banka OTP Albania, me afërsisht 59%, Raiffeisen Bank Albania me rreth 56% dhe Banka e Parë e Investime Shqipëri (Fibank), me 53%.
Të vetmet banka për të cilat kredia për biznes përbën më pak se gjysmën e portofolit të kredisë janë Banka Kombëtare Tregtare, me 46.5% dhe Union Bank me 44%, çka tregon një fokus më të madh në segmentin e kredisë retail.
Sektori bankar shqiptar ka pasur historikisht një shkallë të përqendrimi të kredisë në segmentin e bizneseve. Ky përqendrim u bë një nga shkaqet që raporti i kredive me probleme pas krizës së vitit 2008 arriti nivelet më të larta në rajon, me më shumë se 25%. Ndikimin më të madh në këtë rritje e dhanë pikërisht kreditë e këqija të biznesit.
Po të kemi parasysh se zakonisht vlerat mesatare të kredive për bizneset janë më të mëdha se ato të individëve, një peshë e lartë e bizneseve në portofolin e kredisë mund të jetë tregues i një përqendrimi më të lartë të rrezikut, sidomos kur bëhet fjalë për biznesin e madh./ Marrë nga Monitor
/tvklan.al




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.