SHBA – Barbera Thornhill konfirmohet në krye të zyrës për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore
– Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka siguruar konfirmimin e Barbera Thornhill, në krye të zyrës së Departamentit Amerikan të Shtetit, që monitoron dhe lufton trafikimin e qenieve njerëzore, një strukturë që koordinon përpjekjet amerikane kundër këtij fenomeni në nivel ndërkombëtar, sipas “Enquirer”.
Sipas të dhënave zyrtare të Senatit amerikan, Thornhill u konfirmua në detyrë më 7 gusht 2026, pasi ishte propozuar nga administrata Trump në maj të këtij viti.
Më 25 qershor, Komisioni i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, zhvilloi seancën dëgjimore për kandidaturën e saj, ndërsa më 22 korrik komisioni votoi në favor të emërimit, me 12 vota pro dhe 9 kundër.
Thornhill do të drejtojë Zyrën për Monitorimin dhe Luftën kundër Trafikimit të Personave, pjesë e Departamentit amerikan të Shtetit, me titullin diplomatik “Ambasadore e Përgjithshme” (Ambassador-at-Large).
Kjo zyrë ka përgjegjësi për bashkërendimin e nismave amerikane kundër trafikimit, bashkëpunimin me qeveritë e huaja dhe organizatat ndërkombëtare, si dhe mbështetjen e programeve për parandalimin e këtij krimi dhe mbrojtjen e viktimave.
Puna e strukturës mbështetet në tri shtylla kryesore, ndjekjen penale të trafikantëve, mbrojtjen e personave të shfrytëzuar dhe parandalimin e trafikimit.
Zyra kontribuon gjithashtu në hartimin e raportit vjetor të Departamentit të Shtetit për trafikimin e qenieve njerëzore, i cili vlerëson përpjekjet e vendeve të ndryshme për të luftuar këtë fenomen.
Trafikimi i qenieve njerëzore përfshin shfrytëzimin e personave përmes forcës, mashtrimit ose detyrimit, për punë të detyruar apo shfrytëzim seksual.
Ky krim mund të prekë si shtetasit amerikanë, ashtu edhe personat e huaj dhe mund të ndodhë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Shtëpia e Bardhë dërgoi për miratim emërimin e Thornhill në Senat më 11 maj 2026.
Konfirmimi i saj u bë pjesë e një seri emërimesh diplomatike dhe drejtuese të shqyrtuara nga Senati gjatë verës së këtij viti. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.