19-vjeçari me këmbën e thyer, pezullohet shefi i Rendit në Komisariatin nr. 1 dhe 4 policë
Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra katër efektivë dhe shefin e Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, nënkomisarin F. K., pas publikimit të videos ku shfaqet 19-vjeçari L. B., i dëmtuar në këmbë, teksa shoqërohet nga punonjësit e policisë pranë Parlamentit për t’u dërguar në spital.
Përmes një njoftimi zyrtar, Policia bën të ditur se ka nisur menjëherë verifikimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe mënyrën e trajtimit të të riut nga efektivët. Gjithashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetimin disiplinor ndaj pesë punonjësve të pezulluar.
Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, është ngritur edhe një grup i posaçëm për të verifikuar veprimet e punonjësve gjatë gjithë tubimit dhe për të analizuar nëse janë zbatuar procedurat standarde të punës. Policia thekson se çdo punonjës që ka shkelur procedurat apo ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi.
Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet për rastin.
Policia e Shtetit dënon aktet e dhunës, dëmtimin dhe djegien e pronës gjatë protestës, duke theksuar se këto veprime nuk lidhen me ushtrimin paqësor të së drejtës për të protestuar.
Policia u ka bërë thirrje personave të maskuar dhe atyre që kryejnë akte dhune të ndalojnë menjëherë, ndërsa qytetarëve u ka kërkuar të distancohen nga personat e dhunshëm për të garantuar sigurinë e tyre.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.