SHBA – Hiqet pezullimi kombëtar i fluturimeve, por priten ende vonesa dhe anulime
UASHINGTON, 14 nëntor /ATSH-DPA/ – Administrata Federale e Aviacionit në SHBA (FAA) hoqi pezullimin kombëtar të fluturimeve, pas rreth katër orësh ndërprerjeje, të shkaktuar nga probleme në komunikimin e kontrollit të trafikut ajror.
Megjithatë, pritet që çrregullimet në transportin ajror të vazhdojnë.
Gjatë ndërprerjes u anuluan mijëra fluturime, duke lënë dhjetëra mijëra pasagjerë të bllokuar në aeroportet amerikane.
FAA deklaroi se përpara rifillimit të fluturimeve kreu testime të hollësishme për të garantuar stabilitetin dhe besueshmërinë e sistemeve.
Disa nisje fluturimesh kanë rifilluar tashmë.
Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, paralajmëroi se rikthimi në normalitet do të kërkojë kohë, veçanërisht për shkak të disponueshmërisë së ekuipazheve të kompanive ajrore.
Ai shprehu shpresën se numri i fluturimeve do të rritet sot.
Avionët që ndodheshin në ajër në momentin e hyrjes në fuqi të pezullimit u lejuan të uleshin normalisht.
Megjithatë, situata mbetet e ndërlikuar, pasi avionët dhe ekuipazhet janë jashtë pozicioneve të planifikuara, duke krijuar një efekt zinxhir me vonesa dhe anulime të mundshme edhe pas heqjes së kufizimeve. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.