FOKUS – Vonesa në fluturimet Evropë-SHBA pas heqjes së ndalimit të përkohshëm të tyre
Agjencia Evropiane për Sigurinë e Navigacionit Ajror, Eurocontrol, u ka kërkuar kompanive ajrore të njoftojnë pasagjerët për vonesat e mundshme në fluturimet që fillimisht nuk kishin mundur të niseshin.
Sot në mëngjes, Eurocontrol hoqi nga faqja e saj zyrtare njoftimin për pezullimin e përkohshëm të fluturimeve nga Evropa drejt SHBA-së.
Administrata Federale e Aviacionit e SHBA-së (FAA) hoqi të premten ndalimin kombëtar të fluturimeve, i cili kishte zgjatur rreth katër orë.
Deri në atë moment, mijëra fluturime ishin anuluar dhe dhjetëra mijëra pasagjerë kishin mbetur të bllokuar në aeroporte.
Sipas raportimeve të mediave, avionët që mbërrinin në disa aeroporte amerikane u detyruan të prisnin derisa të liroheshin portat e aeroportit, përpara se pasagjerët të mund të zbrisnin.
Ndikimi i plotë në fluturimet transatlantike të planifikuara nga Evropa për sot mbetej ende i paqartë, por priteshin ndërprerje të konsiderueshme, pasi avionët dhe ekuipazhet nuk ndodheshin më në pozicionet e planifikuara për fluturimet pasuese.
Sipas raportimeve të mediave dhe dëshmive të udhëtarëve në rrjetet sociale, disa fluturime nga SHBA-ja drejt Evropës kishin mundur të niseshin edhe të premten në mbrëmje, pasi nuk ishin prekur nga pezullimi.
Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, deklaroi se paqëndrueshmëria në sistemet e komunikimit radio dhe të radarëve kishte shkaktuar ndalimin kombëtar të fluturimeve./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.