SHBA – Musk nën presion pas humbjes së Trump, rrezikohen interesat e perandorisë së tij
-Nëse humbja e Donald Trump në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA përfaqëson një goditje politike, për Elon Musk pasojat janë kryesisht financiare dhe mund të marrin përmasa ekzistenciale në planin afatgjatë, sipas një analize të “Reuters”.
Miliarderi amerikan, drejtues i kompanive “Tesla” dhe “SpaceX”, përballet me një mjedis politik më pak të favorshëm, pas fitores së demokratëve, të cilët kanë marrë kontrollin e Kongresit amerikan.
Musk shpenzoi qindra miliona dollarë për të mbështetur kandidatët republikanë në zgjedhjet e 3 nëntorit, me synimin për të ndihmuar partinë e presidentit Trump të ruante shumicën në Kongres.
Megjithatë, rezultatet nuk përputhën me përpjekjet e tij financiare dhe politike.
Humbja e republikanëve mund të sjellë pasoja të drejtpërdrejta për bizneset e Musk, veçanërisht për shkak të kontratave të rëndësishme që kompanitë e tij kanë me qeverinë amerikane dhe mundësisë së hetimeve parlamentare ndaj veprimtarisë së tij.
Musk ka shprehur më herët shqetësimin për mundësinë që demokratët të përdorin kompetencat e Kongresit, për të hetuar marrëdhëniet e tij me administratën Trump dhe rolin që ai pati në Departamentin për Efikasitetit të Qeverisë (DOGE).
Ky institucion, të cilin Musk e drejtoi për një periudhë, u angazhua në shkurtimin e shpenzimeve federale dhe ristrukturimin e administratës publike.
Rreth 500 milionë dollarë për republikanët
Sipas të dhënave të financimit elektoral, Musk shpenzoi më shumë se 445 milionë dollarë për kandidatët republikanë, komitetet politike dhe organizatat që mbështetën partinë gjatë fushatës.
Një pjesë e konsiderueshme e parave u drejtua drejt Teksasit, ku Musk kishte interesa të mëdha ekonomike dhe politike.
Ai mbështeti kandidaturën e republikanit, Ken Paxton për Senatin dhe atë të guvernatorit Greg Abbott për një mandat të ri.
Megjithatë, të dy kandidatët humbën përballë demokratëve. James Talarico fitoi garën për Senatin, ndërsa Gina Hinojosa u zgjodh guvernatorja e re e Teksasit, duke i dhënë fund më shumë se tri dekadave të drejtimit republikan të këtij shteti.
Musk kishte përdorur edhe platformën e tij X, për të nxitur mbështetësit të votonin për republikanët, por rezultatet treguan se shpenzimet e tij nuk arritën të ndryshonin rezultatin e zgjedhjeve.
Pas publikimit të rezultateve, ai reagoi me ironi në rrjetin social, duke shkruar: “Me sa duket, lazerët e mi hapësinorë për të ndërhyrë në zgjedhje nuk funksionuan këtë herë”, shoqëruar me një emoji me ngritje supesh.
Rreziku për “Tesla”-n dhe “SpaceX”
Pasojat financiare të humbjes politike u reflektuan edhe në tregjet financiare. Aksionet e “SpaceX” ranë me rreth 5,5%, ndërsa ato të “Tesla”-s me 5,1%, në një kohë kur tregjet e përgjithshme shënuan rritje.
Një nga sfidat më të mëdha për Musk lidhet me projektet e qendrave të të dhënave për inteligjencën artificiale.
Kompania synon të zgjerojë ndjeshëm kapacitetet e saj kompjuterike, por projektet mund të përballen me pengesa të reja rregullatore dhe kundërshtime nga komunitetet lokale.
Analistët presin që demokratët të ushtrojnë kontroll më të rreptë mbi ndërtimin e këtyre qendrave, veçanërisht për shkak të konsumit të lartë të energjisë elektrike dhe ndikimit në faturat e qytetarëve.
Teksasi, një tjetër front për përplasjen me demokratët
Teksasi përbën një nga zonat më të rëndësishme për perandorinë e biznesit të Musk. Aty ndodhen selia qendrore dhe një prej fabrikave kryesore të “Tesla”-s, ndërsa “SpaceX” ka bazën e saj në jug të shtetit.
Në këtë territor ndodhen gjithashtu selitë e kompanive X, “Neuralink” dhe “The Boring Company”.
Guvernatorja e zgjedhur, Gina Hinojosa, ka pasur përplasje të mëparshme me Musk dhe ish-guvernatorin Greg Abbott, duke e akuzuar këtë të fundit se i kishte ofruar miliarderit, marrëveshje të favorshme në kurriz të interesave të shtetit.
Hinojosa ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të projekteve të reja për ndërtimin e qendrave të të dhënave, deri në miratimin e masave më të forta për mbrojtjen e komuniteteve lokale. Ajo ka kërkuar gjithashtu përfundimin e lehtësive fiskale për këto projekte.
Një tjetër çështje e debatueshme është zgjerimi i kompleksit të “SpaceX” në Boca Chica, në jug të Teksasit.
Projekti mund të përballet me kundërshtime për shkak të një propozimi për shitjen e një parku shtetëror bregdetar kompanisë për zgjerimin e bazës së saj.
“Ta themi qartë: Teksasi nuk është në shitje”, deklaroi Hinojosa gjatë fushatës.
Musk reagoi me ironi ndaj mundësisë së pengesave për ndërtimin e qendrave të të dhënave në Teksas, duke shkruar në X: “Qendrat e të dhënave në hapësirë po duken gjithnjë e më tërheqëse tani”.
Ai iu referua planit ambicioz të “SpaceX” për të vendosur qendra të të dhënave në orbitë, megjithëse projekti përballet me sfida të konsiderueshme teknologjike, veçanërisht për ftohjen dhe mirëmbajtjen e pajisjeve.
Hetimet parlamentare, një tjetër shqetësim për Musk
Përveç pengesave ekonomike dhe rregullatore, Musk mund të përballet edhe me hetime të reja nga Kongresi amerikan.
Demokratët kanë paralajmëruar se do të shqyrtojnë kontratat shumë miliardëshe, që kompanitë e tij kanë marrë nga qeveria federale, shkurtimet masive të vendeve të punës në administratën publike, gjatë drejtimit të DOGE-së dhe mënyrën se si është përdorur informacioni i ndjeshëm qeveritar.
Një tjetër çështje që pritet të shqyrtohet është kufizimi i përdorimit të rrjetit satelitor “Starlink” nga ushtria ukrainase, i cili ka rëndësi për komunikimet dhe operacionet ushtarake të Ukrainës.
Robert Garcia, i cili pritet të drejtojë Komisionin e Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve, u dërgoi një mesazh të qartë republikanëve dhe aleatëve të tyre pas rezultateve të zgjedhjeve: “Merrni avokatë”.
Demokratët synojnë të shqyrtojnë nëse Musk ka përdorur ndikimin e tij në administratën Trump, për të favorizuar kompanitë e veta dhe nëse vendimet e marra gjatë drejtimit të DOGE-së kanë sjellë konflikte interesi.
Musk paralajmëroi në tetor, se do të kundërpërgjigjej ndaj atyre që do të ndërmerrnin veprime kundër tij.
Për Musk, sfida tashmë nuk kufizohet vetëm te humbja e ndikimit politik në Uashington.
Kontrolli demokrat i Kongresit dhe ndryshimi i drejtimit politik në Teksas, mund të ndikojnë në kontratat qeveritare, zgjerimin e bizneseve dhe projektet e tij të mëdha në sektorin e inteligjencës artificiale.
Kombinimi i këtyre faktorëve mund të vërë në provë planet afatgjata të perandorisë së tij të biznesit. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.