FOKUS – Alarm për bombë në avionin Dublin-Romë, evakuohen 151 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit
– Një avion i kompanisë ajrore irlandeze “Aer Lingus”, që udhëtonte nga Dublini drejt Romës, është devijuar drejt një baze ushtarake në Francë pas një alarmi për bombë në bord, sipas AP.
Avioni i tipit “Airbus A320” u ul në mënyrë të sigurt në bazën ajrore të “Évreux”, në rajonin e Normandisë, në perëndim të Francës.
Zyra e kryeministrit francez, Sebastien Lecornu, konfirmoi se në bord ndodheshin 151 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit, të cilët u dërguan në një zonë të sigurt pas uljes së avionit.
Skuadrat e specializuara për çaktivizimin e mjeteve shpërthyese, mbërritën në vendngjarje për të kontrolluar avionin dhe për të verifikuar nëse në bord kishte ndonjë pajisje shpërthyese.
Forcat Ajrore franceze njoftuan se kishin dërguar avionë ushtarakë për të shoqëruar fluturimin, sapo ishte marrë njoftimi për kërcënimin.
Sipas të dhënave të faqeve që monitorojnë trafikun ajror, avioni po i afrohej zonës së Parisit kur ndryshoi papritur drejtimin, bëri disa manovra në ajër dhe më pas u drejtua për në bazën ushtarake “Évreux”.
Zyra e kryeministrit francez bëri të ditur se situata po ndiqet nga afër, ndërsa në momentin e raportimit, nuk ishte dhënë ende informacion mbi origjinën e kërcënimit apo nëse ishte konstatuar ndonjë mjet shpërthyes.
Një valë kërcënimesh për bomba në fluturimet evropiane
Ngjarja vjen në një kohë kur disa fluturime në Evropë, janë përballur me kërcënime të ngjashme gjatë ditëve të fundit, duke shkaktuar devijime avionësh, kontrolle sigurie dhe ndërhyrje të forcave ajrore.
Të enjten, autoritetet bullgare raportuan se tre avionë kishin kërkuar ulje emergjente pas marrjes së kërcënimeve për bomba.
Dy prej tyre, që vinin nga Kopenhaga dhe Madridi, u ulën në Sofje, ndërsa një avion tjetër, që udhëtonte nga Londra, u devijua drejt Plovdivit.
Edhe në Itali u raportuan alarme për bomba në dy fluturime.
Një avion i kompanisë “Finnair”, që udhëtonte nga Helsinki drejt Romës, u shoqërua nga avionë luftarakë italianë deri në ulje në aeroportin “Fiumicin.
Autoritetet kryen kontrollet e nevojshme të sigurisë.
Ndërkohë, një tjetër fluturim i kompanisë “Wizz Air”, nga Milano drejt Varshavës, u devijua drejt Vjenës.
Këto incidente vijnë pas një serie kërcënimesh të ngjashme të regjistruara në fillim të javës, të cilat prekën disa fluturime evropiane, përfshirë ato të kompanive LOT, “Scandinavian Airlines”, “Wizz Air” dhe “Ryanair”.
Sipas raportimeve të mëparshme, disa prej këtyre kërcënimeve rezultuan të rreme pas kontrolleve të kryera nga autoritetet.
Ngjarjet kanë rritur shqetësimet për sigurinë e transportit ajror në Evropë, në një periudhë tensionesh të shtuara gjeopolitike dhe paralajmërimesh për kërcënime të mundshme hibride. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.