“Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip”, hap historik për gjuhën shqipe dhe Rilindjen Kombëtare
Më 12 tetor 1879 u themelua në Stamboll, “Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip”, me nismën e Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Shqiptarëve.
Kjo shoqëri synonte shtypjen dhe shpërndarjen e librave në gjuhën shqipe.
Parimi bazë i “Shoqërisë i të Shtypurit të Shkronjave Shqip” ishte: Një komb ndriçohet dhe qytetërohet vetëm duke shkruar gjuhën me shkronjat e tij, në kundërt do të mbeten në errësirë. Rilindësit theksonin se, shqiptarët për sa kohë nuk shkruanin gjuhën e tyre me një alfabet të vetin, nuk do të përparonin.
Sami Frashëri ishte kryetari mes 28 rilindasve të cilët u mblodhën nga krahina të ndryshme të Shqipërisë për të njëjtin qëllim, si Vaso Pasha, Abdyl Frashëri, Pandeli Sotiri, Jani Vreto, Mehmet Vrioni e të tjerë. Këta patriotë krijuan alfabetin shqip, që njihet nën emrin “Alfabeti i Stambollit” dhe u përdor për një kohë të gjatë në mjetet e shtypit si edhe nëpër libra.
Veprimtaria e kësaj shoqërie patriotike vijoi në Stamboll deri sa u ndalua nga Perandoria Osmane. Aktiviteti u zhvendos në Bukuresht ku u ngrit edhe shtypshkronja në 1886. Aty u shkruan dhe u shtypën nga Sami Frashëri, “Abetare e gjuhës shqip”, “Shkronjëtore e gjuhës shqip” dhe “Dheshkronjë”. Këto vepra kontribuuan në përçimin e ideve patriotike, duke ndihmuar në qëllimin kryesor mëvetësinë e Shqipërisë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.