Shpërthimi me tritol në lokalin e “Noizy-t”, dëshmia e Cllevio-s në GJKKO: Isha në burg, e mora vesh nga shokët
Kleviol Ahmeti, i njohur gjerësisht si “Cllevio”, ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme lidhur me marrëdhëniet e tij me Laert Haxhiun dhe përplasjen fizike me reperin Rigels Rajku, Noizy. Ai ka mohuar të ketë lidhje me të pandehurit e tjerë, duke sqaruar se njohja e tij me Haxhiun është thjesht fqinjësie.
Ndër të tjera ai shton se nuk ka pasur asnjë kontakt me të që prej daljes nga burgu në vitin 2020. Lidhur me ngjarjen e dhunshme të ndodhur në zonën e Currilave në Durrës, ai ka rrëfyer se kishte shkuar për t’i kërkuar falje muzikantit, por ishte sulmuar nga ky i fundit dhe anëtarët e grupit OTR, duke pësuar dëmtime serioze në kokë dhe brinjë.
Ai ka deklaruar gjithashtu se për shpërthimin me lëndë plasëse në lokalin e Rajkut është vënë në dijeni nga bashkëvuajtësit gjatë kohës që qëndronte në IEVP Fier, duke mohuar çdo përfshirje apo dijeni për autorët. Cllevio tha se dyshimet e tij personale anonin nga një tjetër person i njohur si “BABA”.
“Nuk kam asnjë lidhje me të pandehurit, as familjare, as miqësore. Me Laert Haxhiun kam njohje. Jetoj në Lushnjë, Laerti është jo më larg se 150 m larg shtëpisë sime. Jemi rritur bashkë, njihemi familjarisht. Në vitin 2007 kemi luajtur futboll. Kam qenë në Amerikë dhe kur kthehesha, rrija në Lushnjë. Kur e kam njohur Laertin, ka qenë pa punë. Viteve të fundit unë s’e kam takuar hiç. Vij nga SHBA në vitin 2013 dhe në 2014 bie në burg. Kam dalë në vitin 2020 nga burgu dhe nuk jam takuar më me të. Burgun e kam vuajtur në 313, 302, Fier dhe Durrës. As telefonatë dhe asnjë lloj kontakti nuk kam pasur me Laertin.
Me Rigels Rajkun e kam të njohur, njohje artistike. Ai është muzikant i njohur dhe unë kam qenë muzikant i panjohur. Ky Rigels Rajku, për të marrë famë, shante Viktor Palokën, i njohur si Unikatili. Ne kur na shante Noizy ishim në Amerikë. Pas 15-20 viteve ia kthej edhe unë me muzikë duke sharë Noizyn. Unë jam shkrimtar, shkruaj tekste muzike. Kur dola në vitin 2020 doja të bëhesha i famshëm dhe filluam të ngacmohemi në mënyrë artistike, që quhet ‘Diss’. Dhe kur bëra këngën u bëra i famshëm dhe po më pëlqente.
Dhe një ditë të bukur i thashë vetes boll më me ‘dissa’ dhe shkova t’i kërkoja falje. Isha i shoqëruar atë ditë në Durrës. Kur shkova te lokali ‘Zins’ në Currila, u parkova dhe u thashë: ‘Mos dilni nga makina’. Kur vajta aty, doli Rigels Rajku, djali i Bashkimit, dhe 12 veta. Aty më rrahën, më shkelën kokën me këmbë. Pata mpiksje gjaku në kokë. Shkova në spital, u mjekova dhe u arrestova sepse isha në arrest shtëpie dhe përfundova në burg.
Unë e kisha njoftuar se po i shkoja te lokali dhe kisha hapur Instagramin ‘Live’ e thosha që po shkoj në Durrës te Noizy. Kur hyra te lokali ishte një rojë, i thashë: ‘Më thirr Noizyn’. Ai erdhi për 24 sekonda dhe erdhi bashkë me bandën e tij, OTR. Nuk i njoh kush ishin ata që shoqëronin Noizyn. Kur erdhi Noizy, unë hoqa syzet për ta respektuar dhe në atë moment më qëlloi me grusht dhe më qëlluan 6-8 veta.
U përfshinë në sherr edhe dy shokët e mi, ku njërit prej tyre i thyen dhëmbët. Unë kam pasur dëmtime në kokë dhe brinjë. Për këtë ngjarje kam dhënë deklaratë kur kam qenë në IEVP Fier. Nënën e kisha në Shqipëri, të tjerët ishin në Amerikë. Është dokumentuar me pamje filmike që më qëllojnë. Nuk mendova të hakmerresha ndaj Noizyt.
Lajmin për shpërthimin me tritol te lokali i Noizyt e dëgjova nga shokët e burgut. Kur shkova në sektor, e mora vesh që kishte ndodhur shpërthimi pas disa ditëve. Pastaj më thërret një oficer policie në Durrës dhe më thotë se ka një hetim për shpërthimin me tritol.
Unë i thashë se nuk e di kush ia ka vendosur tritolin, sepse isha në burg. E mendova me vete kush mund ta kishte bërë, e mendova se mund ta kishte bërë BABA. Nuk më ka ardhur asnjë fjalë që Laerti ta ketë bërë këtë gjë. Marjus Tahanin nuk e njoh fare. Nuk pajtohemi me Rigelsin”, deklaroi ai.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.