Shqipëria në procesin e zgjerimit të BE-së, Marta Kos: Anëtarësimi kërkon përafrim strategjik
Shqipëria është mes katër vendeve për të cilat Bashkimi Evropian parashikon mbajtjen e konferencave ndërqeveritare, në një zhvillim që komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, e cilësoi si dëshmi se procesi i integrimit evropian po vijon.
Në deklaratën e saj nga Brukseli, Kos përmendi Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën, duke theksuar se vendet që përparojnë në këtë proces duhet të përmbushin detyrimet e tyre ndaj Bashkimit Evropian.
Por, krahas ecurisë së negociatave, komisionerja vendosi theksin te kushtet që duhet të plotësojnë vendet kandidate për t’u bërë pjesë e Unionit. Sipas saj, përafrimi strategjik me BE-në dhe kontributi në sigurinë e përbashkët janë elemente thelbësore të procesit të anëtarësimit.
“Ne nuk mund t’ia lejojmë vetes të pranojmë shtete të reja anëtare që nuk do të kontribuojnë në forcimin e sigurisë sonë. Vetëm ato vende kandidate që janë të përafruara strategjikisht me ne do të mund të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian”, u shpreh Kos.
Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e përafrimit me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, duke përfshirë qëndrimet për sanksionet, energjinë dhe infrastrukturën.
Mesazhi i Brukselit është se perspektiva e zgjerimit mbetet e hapur, por përparimi drejt anëtarësimit kërkon jo vetëm avancim në negociata, por edhe përmbushjen e standardeve dhe detyrimeve evropiane.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.