Shtatë fjalët që pushteti nuk i lidh dot

Studentët e mi të bioteknologjisë janë ku e ku më të informuar, më kërkues, më kritikë se kemi qenë ne pedagogët në moshën e tyre—sepse kanë në duar mjete për të gjetur dhe verifikuar informacionin që brezi im nuk mund t’i imagjinonte kurrë.
Ka raste që më sjellin zhvillime shkencore për të cilat unë nuk kam lexuar ende, i analizojnë ato me qartësi dhe gjatë diskutimeve tona më duket ndonjëherë sikur studentja jam unë.
Të qenit në auditor me ta është gjëja më e mirë e profesionit tim, sepse falë tyre jam çdo ditë në sfidë me veten, me njohuritë dhe botëkuptimin tim.
Ndaj, shpesh diskutoj me kolegët se sa e rëndësishme është që në auditor t’u mësojmë të rinjve të mendojnë në mënyrë të pavarur, të bëhen qytetarë që kanë mendimin e tyre.
Por sa sfidë e madhe është kjo, ndërkohë që jashtë auditorit i pret një realitet ku pavarësia e mendimit shpesh trajtohet si pengesë, jo si virtyt. Mjafton t’i hedhin sytë nga parlamenti, ku autoriteti përpiqet ta nënshtrojë argumentin dhe ku, në vend të mendimit, kërkohet vetëm kartoni miratues.
Kryeministri ynë na thotë se studentët nuk dinë të lidhin shtatë fjalë. Por në parlament ka deputetë të tij që lidhin shtatë e tetë e njëqind fjali pa patur asnjë mendim.
Nëpër studio kemi dëgjuar burra që flasin dy orë e nuk thonë asgjë. Kemi dëgjuar gra që e rrëzuan mitin se gratë e zbusin politikën dhe sjellin hijeshi komunikimi.
Natyrisht, mes studentëve ka edhe të papërgatitur. Si në çdo brez dhe në çdo profesion, si në çdo vend. Por të marrësh disa prej këtyre e t’i kthesh në portretin intelektual të një brezi të tërë është padrejtësi, sidomos nga Kryeministri. Sidomos nga ai që ka përzgjedhur burrat dhe gratë që mbushin parlamentin.
Ndërkohë që studentët duhet ta provojnë çdo ditë sa vlejnë, injorantëve funksionalë ju mjafton një vend në listën e duhur, me bekimin e kryetarit. Dhe kështu, njerëz që nuk do të kalonin dot asnjë konkurs serioz për një vend pune, marrin pushtet për të vendosur për të ardhmen e atyre që duhet të kalojnë konkurse, të diplomohen, pastaj të pranojnë paga minimale, dhe të shpresojnë të blejnë një apartament modest diku në zonat industriale ku edhe rruga është një mundim më vete.
E keqja tjetër është se ajo që në parlament shfaqet si mediokritet politik, në administratën publike bëhet problem institucional. Sepse ndryshe nga parlamenti, në administratë nuk duhet të të çojë vota, sido që ta kesh fituar atë, as kryetari i partisë. Aty duhet të të çojë merita.
Komisioni Europian, në raportin e vitit 2025, konstaton se rregullat për rekrutimin dhe ngritjen në detyrë mbi bazën e meritës nuk zbatohen në mënyrë të njëtrajtshme në administratën shqiptare. Ndërsa OECD/SIGMA, në vlerësimin e vitit 2024, i jep 62 pikë nga 100 transparencës, profesionalizmit dhe efektivitetit të rekrutimit në shërbimin publik.
Pra, problemi që vënë në dukje këto raporte nuk është niveli i studentëve, por mënyra se si shteti përzgjedh dhe vlerëson njerëzit.
Dhe problemet e administratës nuk i konstatojnë vetëm raportet ndërkombëtare. I pranon edhe vetë Zoti Rama, pas 11 vjetësh si kryetar bashkie dhe pothuajse 13 vjetësh si Kryeministër.
Pak javë më parë, gjatë prezantimit të nismës së quajtur “Shkalla e Meritës”, ai foli për rezultatet e një ankete të brendshme në administratë. Ai pohoi se shumica dërrmuese e nëpunësve të anketuar mendonin se, punove apo nuk punove, kjo nuk bënte ndonjë ndryshim të dukshëm në mënyrën se si vlerësoheshe apo ecje përpara në karrierë. Pranoi, gjithashtu, se mënyra e shpalljes së vendeve bosh dhe e informimit të kandidatëve nuk ishte transparente dhe hapje ndaj mundësive të barabarta.
Pra, pas gati trembëdhjetë vitesh në krye të qeverisë, Kryeministri më në fund zbuloi realitetin e të rinjve të vendit që qeveris.
Një tjetër tregues shqetësues vjen nga një analizë e UNDP-së, bazuar në të dhënat e INSTAT-it për vitin 2023. Rreth 106 mijë të rinj të moshës 15–29 vjeç, gati një e katërtë e totalit, nuk ishin as në punë, as në shkollë apo trajnim.
Kjo shifër nuk shpjegohet vetëm me mungesën e meritokracisë, por tregon se sa shumë potencial njerëzor mbetet jashtë zhvillimit të vendit.
Fiks këtu qëndron një nga dështimet më të mëdha të politikës shqiptare. Kemi një brez të rinjsh që i kërkojmë të studiojnë, të kualifikohen, të konkurrojnë, ndërkohë që nepotizmi dhe klientelizmi vazhdojnë të minojnë besimin se vendet e punës dhe karriera fitohen me meritë.
Në një sistem të tillë, mbiemri, lidhja familjare apo afërsia me pushtetin vlejnë më shumë se diploma dhe aftësia. Dhe nuk është një padrejtësi ndaj studentit të skualifikuar, por është padrejtësi ndaj gjithë shoqërisë, sepse në institucionet që duhet të na shërbejnë të gjithëve, vendin e më të aftit e zë ai që pranon të përdoret nga pushteti, duke paguar si çmim dinjitetin e vetë.
Pastaj ankohemi për ikjen e trurit. Të rinjtë nuk po largohen vetëm për një pagë më të mirë. Ata po largohen nga një vend në të cilin duhet të njohësh dikë përpara se dikush të të njohë aftësitë.
Nuk po pretendoj se çdo student është i shkëlqyer. Nuk pretendoj as se universitetet tona nuk kanë probleme, duke filluar nga vetë ne pedagogët, të paguar sa një kamarier.
Por pas më shumë se një dekade qeverisjeje, është tinzare t’ia faturosh brezit të ri dobësitë e një sistemi arsimor dhe institucional për të cilin ke përgjegjësi të drejtpërdrejtë.
Dhe nëse disa studentë kanë gabuar, le të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre. Por kundërshtimi i tyre ndaj qeverisjes nuk duhet ngatërruar me padijen dhe as mosbindjen e tyre me mungesën e inteligjencës.
Unë dua që studentët e mi të më kundërshtojnë, të dinë më shumë se unë dhe një ditë të mos kenë nevojë për mua për të mbrojtur një ide. Por mbi të gjitha, dua që në vendin e tyre të mos kenë nevojë për njohje me një politikan për të ndërtuar një jetë.
Në vitin 2013, Edi Rama thoshte për studentët shqiptarë se nuk kërkonin lëmoshë, por vlerësim të meritës. Atëherë duket se ai e kuptonte mirë se çfarë kërkonin të rinjtë nga shteti.
Trembëdhjetë vjet më vonë, studentët vazhdojnë të kërkojnë të njëjtën gjë. Ndërsa Kryeministri, që vetëm para disa muajsh pranoi problemet e meritokracisë në administratën e vet, ka zgjedhur të merret me aftësinë e tyre për të lidhur shtatë fjalë.
Analfabetët janë në parlament, jo në auditor. Ja, shtatë fjalë. Të lidhura dhe të kuptueshme.
Kryeministri besoj e di mirë këtë. Sepse i ka përzgjedhur vetë.
Shpërndaje te miqtë



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.