Shteti sërish synon të arkëtojë para nga qytetarët, ekspertët kërkojnë transparencë për destinimin e tyre
Ministria e Financave lëshon emetimin e katërt të obligacioneve qytetare: 100 milionë denarë me interes vjetor 4,6 për qind dhe afat dyvjeçar, ndërsa regjistrimi zgjat deri më 1 dhjetor.
Pas tri emetimeve të mëparshme, Ministria e Financave lëshon një ofertë të re për qytetarët, raporton Alsat. Kësaj radhe, shteti synon të marrë hua 100 milionë denarë përmes obligacioneve qytetare, ndërsa në këmbim ofron interes vjetor prej 4,6 për qind. Obligacionet kanë afat maturimi prej dy vitesh: për çdo obligacion prej 10 mijë denarësh, investitori përfiton 460 denarë interes në vit, apo gjithsej 920 denarë për dy vjet.
Sipas ekonomistit Abil Baush, vendimi është interesant edhe për faktin se qeveria aktuale, e cila në fillim kishte kundërshtuar këtë instrument, tani po e vazhdon praktikën e qeverisë paraprake. “Është interesant se si kjo qeveri filloi t’i miratojë të gjitha masat që i kishte edhe qeveria paraprake. Në fillim ishin kundër emitimit të obligacioneve ose bonove të thesarit për qytetarët, por tash tërhiqen dhe e bëjnë këtë. Është një gjë e mirë, për arsye se qytetarët kanë një instrument ku munden të investojnë dhe të fitojnë para”, deklaroi Baush.
Baush vlerëson se norma e interesit prej 4,6 për qind është sinjal edhe për kushtet me të cilat shteti mund të sigurojë para përmes huamarrjes. Sipas tij, një interes i tillë paraqet mundësi të mirë për qytetarët, por edhe një tregues për koston e financimit të shtetit. Megjithatë, përveç interesit që do të përfitojnë qytetarët, mbetet e rëndësishme edhe çështja se ku do të përfundojnë paratë e mbledhura. Në emetimet e mëparshme, obligacionet janë lidhur edhe me projekte të caktuara, ndërsa për këtë emetim, sipas Baush, nevojitet më shumë transparencë.
“Në shumicën e rasteve ato lidhen për ndonjë projekt. Në fillim ishte për një projekt ekologjik, tash nuk e di për çka ju nevojiten, por ndoshta kanë ndonjë plan në të cilin duhet këto para t’i drejtojnë. Është një gjë në të cilën pritet ato ta shpjegojnë ku do t’i shpenzojnë paratë, por të shpresojmë të mos janë operative”, theksoi Baush.
Qytetarët mund t’i regjistrojnë obligacionet në filialet e bankave komerciale deri më 1 dhjetor, ndërsa ankandi është paraparë të mbahet më 3 dhjetor. Ky është emetimi i katërt i obligacioneve qytetare. Në tri emetimet e mëparshme, shteti ka siguruar shuma prej 23,5 milionë eurosh, 17,6 milionë eurosh dhe 33 milionë eurosh, thekson Alsat.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.