Bajrami: Ndryshimet në Kodin Penal janë thelbësore
Kodi i ri Penal ndodhet në ENER që nga fillimi i muajit; juristi Ibraim Bajrami thotë se nuk bëhet fjalë për ndryshime kozmetike, por ngre dyshime për nenin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare në prokurimet publike.
Kodi i ri Penal nga fillimi i muajit ndodhet në ENER, ndërsa ekspertët kanë shansin të japin vërejtjet dhe sugjerimet e tyre, raporton Alsat. Kodi i ri vjen pas kritikave të shumta për mosmiratimin e ndryshimeve në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe pas kritikave për vjetërsimin e lëndëve si pasojë e ndryshimeve paraprake. Juristi Ibraim Bajrami thotë se Kodi i ri Penal nuk paraqet thjeshtë ndryshime makijazh. Megjithatë, Bajrami ka dyshime në pjesën e veprës penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, ku në kodin e ri, pjesa e furnizimeve publike do të jetë nen në vete. Bazuar edhe në ndryshimet e ligjit për furnizime publike, Bajrami për emisionin “Gjurmët” në Alsat tha se tek prokurorët do të shkaktojë huti për atë se ku do të bazohet vepra e mundshme penale, përkatësisht keqpërdorimi.
“Çdo mik që kam, çdo të njohur që kam dhe në ndonjë institucion që punon në prokurimet publike, unë do i kisha thënë, mos puno më. Puno çka të duash. Tash është çështje diskutabile çka do të parashohë prokurori si keqpërdorim. A pse nuk është marrë çmimi më i ulët, a pse nuk është përcaktuar një cilësi gjoja më mirë, është vërtetuar se s’ka qenë i mirë, dhe mendoj se propozim ligji i ri i prokurimeve publike duhet mirë të shoshitet që të mos përfitojë dikush tjetër nga presioni ndaj personave që punon te prokurimet publike”, deklaroi Bajrami.
Duke komentuar numrin e lartë të rasteve të dhunës familjare, Bajrami vlerëson se në këto raste dënimet janë të vogla. Ai gjithashtu thekson faktin se edhe shumë burra janë viktima të dhunës, por nuk kanë guxim t’i paraqesin. “Mund të ndryshohet kjo dispozitë ligjore në kuptimin e asaj që t’i shtohet paragrafit, pra alineja 1 thotë, nga 6 muaj deri në 5 vjet. Alineja 2, si më e rëndë, mund të jetë: nëqoftëse bërësi e përsëritë veprën penale më shumë se dy herë, për së treti herë të ketë një ndëshkueshmëri prej 3 deri 10 [vjet], por rrethanat e ndëshkimit prej 3 deri 10 vjet — nëse e pranon fajësinë, mund t’i marrë edhe 1 vjet, por megjithatë të ballafaqohet me sanksionin. Nëse recidivizmi nuk i ndihmon dhe nuk e risocializon, ai duhet të izolohet nga pjesa tjetër e shoqërisë”, theksoi Bajrami.
Në Kodin e ri Penal janë paraparë edhe disa vepra të reja penale. Për shembull, në nenin 288 si vepër penale është paraparë edhe ekocidi: për këtë vepër, nëse pasojat janë serioze dhe afatgjate, dënimet me burg mund të jenë së paku 10 vjet, apo edhe burg i përjetshëm. Më tej, si risi në kodin penal qëndron edhe neni 214, i cili si vepër penale parasheh edhe ngacmimin e kolegëve në vendin e punës, për çka parashihet gjobë me të holla ose burg deri në një vit, thekson Alsat.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.