Shtufi i Berishës, pas “pronave” në Zvërnec/ Dosja e SPAK zbulon lidhjet e Ilir Shtufit me Artur Shehun
Operacioni i Prokurorisë së Posaçme për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal që trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt Bashkimit Evropian, nxori në pah lidhjen e trafikantëve me disa biznesmenë të fuqishëm në Shqipëri, mes të cilëve Ilir Shtufin, që u arrestua një ditë më parë në Greqi.
Fasada e krijuar ndër vite nga biznesmeni Shtufi u rrëzua nga organi i akuzës që provoi se Ilir Shtufi pastronte paratë e një grupi kriminal që ka trafikuar tonelata me kokainë në dhjetëra episode.
Dokumenti që ABC News ka lexuar, tregon qartazi lidhjen e ngushtë të Ilir Shtufit me Lucciano Koçekun, njërin prej krerëve të grupit kriminal, si dhe të gjithë skemën e pastrimit të parave të pista nga biznesmeni i njohur, lidhje e ngushtë e familjes së Sali Berishës.
Prokuroria e Posaçme, krahas provave të mbledhura, e mbështet hetimin edhe te deklarimi i Erjon Alibej, person i cili ka statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë në dosjen “Plumbi i Artë”.
Në datë 03.04.2026, Alibej është marrë në pyetje në SPAK në lidhje me këtë çështje, ku ka sqaruar lidhjet mes Ilir Shtufit dhe Lucciano Koçekut, i njohur ndryshe me emrin Artur Koçeku.
“Ilir Shtufi në periudhën që ka lidhur shoqëri me Artur Koçekun ka pasur rritje të aktivitetit të tij ekonomik, ku më parë ka pasur borxhe, të cilat i ishin vendosur nga persona të ndryshëm, si edhe ka pasur probleme me shitje të pasurive nga dy herë, edhe borxhe për mosshlyerje të lëndëve të para të ndërtimit.
Në këtë kohë shtetasi Artur Koçeku i është afruar dhe e ka ndihmuar me shuma monetare cash, duke mundur të paguajë borxhet e mospagesave të faturave, të mbyllë problemet me drejtësinë për apartamentet/dyqanet që i shiste dy herë dhe, me emrin e Arturit, të largojë gjobëvënësit, fakt të cilin ka deklaruar se e ka mësuar nga diskutimet e shoqërisë së përbashkët, por edhe në komunikimet e tij me Arturin. Artur Koçeku sillej si pronar në objektet që ndërtoheshin nga Ilir Shtufi dhe persona të tjerë të përfshirë në trafikun e narkotikëve kanë futur lekë cash te Ilir Shtufi në objekte të caktuara të ndërtuara prej tij.”
SPAK thotë se trafikanti Lucciano Koçeku ka përdorur kompanitë e Ilir Shtufit, “Nova Construction 2012” dhe “LTD CO” sh.p.k. për të qarkulluar paratë e paligjshme. Kompania LTD CO sh.p.k. u çel në vitin 2014 nga Lucciano Koçeku, Ilir dhe Kujtim Shtufi dhe Xhevahir Osmani, me qëllim që të mos rrezikohej Koçeku në rast të veprimeve hetimore që mund të sillnin sekuestrimin e kompanisë.
Të ardhurat që përftoheshin nga trafiku ndërkombëtar i kokainës, pastroheshin nga kompanitë e biznesmenit Ilir Shtufi. Prokuroria e Posaçme sqaron ndër të tjera edhe krijimin e subjektit “Develalb Construction”, e themeluar nga 4 persona, mes të cilëve vëllezërit Enea dhe Aldo Kaçi, lidhje e ngushtë e Lucciano Koçekut, në vitin 2019, ku aksioner ishte Ilir Shtufi. Sipas hetimeve, kjo kompani u vendos në funksion të plotë të Lucciano Koçekut për të pastruar paratë e paligjshme.
Ilir Shtufi ka ndihmuar Koçekun nëpërmjet përfshirjes në një tërësi veprimesh si shitje, tjetërsime fiktive, për qëllime të integrimit të të ardhurave të aktivitetit kriminal të tij në shoqëritë “Nova Construction” dhe “LTD” dhe dhënies së pjesëve takuese këtij të fundit, në raport me investimet që ai ka kryer; duke u përfshirë në shitblerje kuotash të shoqërive e veprime të tjera maskuese, kjo me qëllim dhe në funksion të personit nën hetim Luçiano Koçeku.
Përfshirja intensive e tij vërtetohet nga ndërtimi i objekteve të tëra me të ardhura të rrjedhura nga aktiviteti kriminal i Koçekut, për interes të këtij të fundit.
Por, përveç lidhjes së tij me grupin kriminal të Koçekut, Shtufi përfshihet edhe në procedimin tjetër të SPAK për tjetërsimin e pronave në Zvërnec. Lidhja e tij me çështjen e Zvërnecit është më e komplikuar, për shkak të marrëdhënieve me Artur Shehun, një personazh i ngjarjeve të rënda në Vlorë në vitin 1997, i cili po ashtu ka masë sigurie “arrest në burg” nga SPAK. Ky i fundit, pronar i një sipërfaqeje të madhe toke në Zvërnec, ishte një nga arsyet pse lindi protesta e dhunshme e 30 majit.
Biznesmeni i ndërtimeve Ilir Shtufi akuzohet nga Prokuroria e Posaçme se ka konsumuar tre vepra penale: pastrim parash, kryer në formën e veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal; grup i strukturuar kriminal; dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.
Shtufi është ndërtues i disa kullave në Tiranë, mes tyre gradaçelësit që do të quhet “Mali i Tiranës”. Disa kohë më parë, Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit të vendit që akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv për privatizimin e kompleksit Partizani, ka deklaruar se jeton me qira në vilën e Ilir Shtufit në Rolling Hills./abcnews/




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.