🌤️
Tiranë 10°C · Kryesisht kthjellët 24 Tetor 2026
S&P 500 7,624 ▼0.52%
DOW 52,215 ▼1.23%
NASDAQ 25,955 ▼0.21%
NAFTA 103.44 ▲3.99%
ARI 4,010 ▼1.24%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1217 EUR/GBP 0.8374 EUR/CHF 0.9212 EUR/ALL 90.6854 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4729 EUR/TRY 55.7579 EUR/JPY 176.02 EUR/CAD 1.5719 EUR/USD 1.1217 EUR/GBP 0.8374 EUR/CHF 0.9212 EUR/ALL 90.6854 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4729 EUR/TRY 55.7579 EUR/JPY 176.02 EUR/CAD 1.5719
₿ CRYPTO
BTC $81,160 ▼ -0.28% ETH $2,386 ▼ -0.02% XRP $1.2951 ▼ -0.99% SOL $102.9100 ▼ -0.65%
S&P 500 7,624 ▼0.52 % DOW 52,215 ▼1.23 % NASDAQ 25,955 ▼0.21 % NAFTA 103.44 ▲3.99 % ARI 4,010 ▼1.24 % S&P 500 7,624 ▼0.52 % DOW 52,215 ▼1.23 % NASDAQ 25,955 ▼0.21 % NAFTA 103.44 ▲3.99 % ARI 4,010 ▼1.24 %
EUR/USD 1.1217 EUR/GBP 0.8374 EUR/CHF 0.9212 EUR/ALL 90.6854 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4729 EUR/TRY 55.7579 EUR/JPY 176.02 EUR/CAD 1.5719 EUR/USD 1.1217 EUR/GBP 0.8374 EUR/CHF 0.9212 EUR/ALL 90.6854 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4729 EUR/TRY 55.7579 EUR/JPY 176.02 EUR/CAD 1.5719
24 Tet 2026
Breaking
Opinion

Pse sulmohet Lëvizja Bashkë?

Arlind Qorri
Arlind Qorri

Ditët e fundit të gjitha bateritë propagandistike janë drejtuar kundër Lëvizjes BASHKË. Edi Rama, deputetë dhe një zogori patro-analistësh kanë gërmuar deri në fund të pusit të gënjeshtrave dhe sharjeve për të nxjerrë çka më të keqe gjuha njerëzore dhe ia mveshur Lëvizjes BASHKË. "Terroristë", "organizatë e strukturuar kriminale", "ekstremistë", "antifa", "të paguar", "shfrytëzues të të rinjve", deri edhe "pedofilë politikë" e shumë të tjera akuza janë lëshuar ndaj nesh.

Konteksti në të cilin na sulmojnë është edhe më i pandershëm se vetë sulmet. Në çdo studio ku sulmohet Lëvizja BASHKË nuk është i ftuar asnjë përfaqësues i saj. Prej të hënës së shkuar asnjë prej përfaqësuesve të Lëvizjes BASHKË nuk ka marrë asnjë ftesë në televizionet kryesore të vendit, pavarësisht se kemi qenë të akuzuarit kryesorë dhe një prej temave më të rëndësishme të debatit publik. Asnjë ftesë nga TV Klani, ftesë e anuluar nga Top Channel-i, asnjë ftesë nga Vizion+, asnjë ftesë nga Euronews-i, asnjë ftesë nga ABC News-i, asnjë ftesë nga A2, madje asnjë ftesë as nga News24. Kë tremb prania jonë? Vetëm qeverinë dhe oligarkinë ekonomike? Apo një rrjetë të tërë interesash të pandershme e cila po rrezikohet të shpërbëhet nga protesta e të rinjve?

Po çfarë thonë kundër nesh? Që jemi ekstremistë të majtë dhe antifa. Mjafton të lexosh programin e Lëvizjes BASHKË dhe të gjitha qëndrimet tona politike prej dhjetorit të 2022 kur jemi themeluar për të kuptuar se idetë tona janë shëndoshë e mirë në terrenin e socialdemokracisë evropiane. Ndonëse nuk kemi dhunuar njeri, rëndom kemi qenë objekt i dhunës policore. Një prej aktivistëve tanë, Klodi Lekës, desh i kanë nxjerrë syrin me plumb gome. Alfred Bushin, profesor universiteti, e kanë rrahur brenda mjediseve të komisariatit 4 me duar të prangosura duke e akuzuar si nxitës të të rinjve në protestë. Shumë e shumë të tjerë kanë ngrënë shkopinj gome, grushte dhe një pafundësi gazi lotsjellës gjatë protestës. Sa për antifa-n, nëse e përkufizojmë në gjerësinë që meriton – pra si antifashizëm – jemi krenarisht antifashistë, siç është e gjithë bota demokratike e përparimtare që prej Luftës së Dytë Botërore. Nëse e përkufizojmë ngushtësisht, siç përdoret nga lëvizjet horizontale dhe radikale të të rinjve nëpër botë, dora në zemër në Shqipëri mungon terreni social për lëvizje të tilla. Asgjë nuk importohet dhe trupëzohet në një vend vetëm se sheh video në rrjetet sociale.

Po të kthehemi tek arsyet se pse sulmohemi. Qeveria e Edi Ramës na ka halë në sy për një arsye të thjeshtë: ekzistenca jonë politike tregon se mund të jesh i majtë pa qenë hajdut, pa qenë shërbëtor i oligarkëve, pa qenë shtypës dhe pa qenë arrogantë, por duke besuar te demokracia e njëmendtë, drejtësia shoqërore dhe respekti për tjetrin. Na sulmon sepse kemi qenë në mes të protestuesve që në Zvërnec, pa na e bërë syri tërr, ndonëse përballë banorëve të Zvërnecit dhe gjithkujt që shqetësohet për mjedisin qëndrojnë një gangster lokal (Artur Shehu), një oligark vendas (Shefqet Kastrati) dhe oligarkë të huaj të drejtuar nga Jared Kushner-i.

Nuk mbetet prapa as PD e Berishës, e cila nuk arrin dot të gëlltisë faktin që shoqëria e ka tejkaluar, që një popull i tërë është ngritur në këmbë me thirrjen "Rama në burg, Berisha në burg!". Edhe për ta ekzistenca jonë politike është dëshmi se si mund të bësh opozitë nga pozita të larta morale, me guxim, me aktivizëm dhe me ide, pa iu servilosur oligarkëve dhe pa u premtuar njerëzve se nesër do të kapin një vend pune në doganë për të jetuar në kurriz të të tjerëve. Të çoroditur, nuk kanë lënë rast pa shpifur ndaj Lëvizjes BASHKË, duke na atribuuar pa pikë turpi sulmin ndaj selisë së PD në Shkodër apo incidentin me deputetin Balliu.

Për patro-analistët, fuqizimi i Lëvizjes BASHKË duket i ububushëm pasi e kuptojnë se, nëse idetë tona materializohen në qeverisje, askush nuk do të mund të përfitojë në mënyrë të pandershme. Nuk do të ketë koncesione e leje ndërtimi për oligarkët, të cilët paskëtaj japin në këmbim kohën televizive për propagandë që paguhet shtrenjtë. As borde institucionesh publike ku vipat marrin një rrogë të majme mujore duke parazituar gjithë vitin.

Për të gjithë këta, Lëvizja BASHKË është e frikshme sepse jemi e kundërta e tyre dhe e gjithçkaje që shpifin ndaj nesh. Se idetë tona, edhe sikur të mos realizohen dot drejtpërdrejt prej nesh, tashmë kanë marrë të tillë popullaritet sa do ta orientojnë ligjërimin dhe programet politike për vitet e ardhshme. Se guxojmë të jetojmë në përputhje me parimet që artikulojmë. Se çfarë e duam për veten, e duam barazisht edhe për të tjerët. Se besojmë që njeriu nuk është thjesht më dinakja e kafshëve, por ka një botë shpirtërore e morale që, në kushtet e duhura sociale, na lartëson dhe përfton solidaritet e krijimtari. Se jemi të hapur, pa paragjykime, për çdo qytetar të ndershëm që do ta ndryshojë për mirë Shqipërinë.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.