Si “e kupton” trupi se ka ardhur koha e lindjes? Shkencëtarët zbulojnë rolin e qelizave imunitare
– Për një kohë të gjatë, shkencëtarët nuk e kanë ditur saktësisht se çfarë e bën trupin të “kuptojë” se foshnja është gati të lindë dhe se duhet të fillojnë kontraksionet, sipas “New Scientist”.
Tani, një studim i ri sugjeron se sistemi imunitar mund të japë sinjalin që nis lindjen.
Studiuesit zbuluan se, në fund të shtatzënisë, disa qeliza të sistemit imunitar, duket se i japin energji qelizave të muskujve të mitrës.
Kjo mund të ndihmojë në nisjen e kontraksioneve.
“Duke kuptuar të gjitha hapat e këtij procesi, po afrohemi më shumë te mundësia për të gjetur trajtime që mund të ndihmojnë në parandalimin e lindjes së parakohshme”, tha Stephen Lye, studiues në Spitalin Mount Sinai, në Toronto të Kanadasë.
Çfarë ndodh në trup?
Studiuesit zbuluan më herët se, në fund të shtatzënisë, mitra çliron disa substanca sinjalizuese, të quajtura citokina dhe kemokina.
Këto substanca veprojnë si një lloj “mesazhi” që tërheq qeliza të sistemit imunitar nga gjaku drejt mitrës.
Një prej këtyre qelizave quhet monocit.
Pasi hyn në indet e muskujve të mitrës, monociti shndërrohet në një lloj tjetër qelize imunitare, të quajtur makrofag.
Në studimin e ri, studiuesit u përqendruan pikërisht te këto makrofagë.
Ata i vendosën së bashku me qeliza muskulore të marra nga mostra të mitrës së grave shtatzëna, që po kryenin lindje me prerje cezariane në fund të shtatzënisë.
Ajo që panë i befasoi. Makrofagët krijonin struktura shumë të vogla, të ngjashme me tuba, të cilat lidheshin me qelizat e muskujve të mitrës.
Përmes këtyre tubave, makrofagët dërgonin te qelizat muskulore mitokondri.
Çfarë janë mitokondritë?
Mitokondritë janë struktura shumë të vogla brenda qelizave, që prodhojnë energjinë që qelizat kanë nevojë për të funksionuar.
Për këtë arsye, shpesh quhen “centralet energjetike” të qelizës.
Sipas këtij studimi, qelizat e sistemit imunitar mund t’u transferojnë mitokondri qelizave të muskujve të mitrës, duke ndikuar në mënyrën se si ato prodhojnë dhe përdorin energjinë.
Studiuesit mendojnë se ky komunikim mes qelizave, mund të jetë një nga hapat që ndihmon muskujt e mitrës të fillojnë të kontraktohen, duke nisur kështu procesin e lindjes.
Studimi u krye nga një ekip studiuesish të Institutit Kërkimor Lunenfeld-Tanenbaum në Toronto, Kanada dhe Universitetit të Torontos, nën drejtimin e studiuesit Stephen Lye.
Ky studim është një linje kërkimore disa-vjeçare mbi rolin e qelizave imunitare në nisjen e lindjes. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.