BERLIN – Merz: Pa emigrantët e integruar, shumë sektorë në Gjermani nuk do të funksionon
BERLIN, 19 shtator /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman, Friedrich Merz deklaroi se Gjermania është dhe do të mbetet një vend emigracioni, duke theksuar rolin e emigrantëve të integruar në tregun gjerman të punës.
Gjatë një aktiviteti elektoral të CDU-së në Berlin, Merz tha se shumë sektorë të rëndësishëm të vendit, nuk do të mund të funksiononin pa emigrantët që jetojnë, punojnë dhe janë integruar në Gjermani.
“Na duhen këta njerëz në Gjermani, të cilët tashmë janë të pazëvendësueshëm në tregun tonë të punës”, tha kancelari gjerman.
Ai përmendi konkretisht spitalet, shtëpitë e të moshuarve, kantieret e ndërtimit, restorantet dhe hotelet, duke argumentuar se këto sektorë mbështeten në punën e emigrantëve të integruar.
Merz bëri gjithashtu thirrje për luftë të përbashkët kundër racizmit dhe antisemitizmit.
Ai tha se nuk duhet toleruar që në Gjermani apo në Berlin, krimet e kryera nga të huajt dhe urrejtja ndaj hebrenjve të bëhen dukuri të zakonshme.
“Ky vend duhet të mbrohet nga këto krime”, theksoi ai.
Kancelari Merz u shpreh gjithashtu kundër armiqësisë ndaj të huajve në Gjermani.
“Asnjë spital, asnjë azil për të moshuarit, asnjë kantier ndërtimi, asnjë restorant, asnjë hotel – asgjë nuk do të funksiononte më, nëse në Gjermani nuk do të kishim emigrantë që kanë jetuar këtu për dekada, që punojnë këtu dhe janë integruar këtu”, tha Merz.
“Dhe ne i duam këta njerëz, zonja dhe zotërinj. Prandaj, armiqësia ndaj të huajve nuk ka vend në vendin tonë”, theksoi kancelari gjerman.
Në të njëjtën kohë, ai bëri dallim mes emigrantëve të integruar dhe emigracionit drejt sistemeve të sigurimeve sociale.
Sipas tij, Gjermania nuk dëshiron emigracion në sistemet sociale.
“Dhe ata që nuk u përmbahen rregullave, po, duhet të largohen nga vendi”, tha Merz.
Kancelari vlerësoi ministrin e Brendshëm Alexander Dobrindt, për atë që e cilësoi si një “korrigjim themelor” të politikës së emigracionit.
Deklarata e Merz erdhi në kuadër të fushatës së CDU-së në Berlin, në prag të zgjedhjeve lokale në kryeqytetin gjerman. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.