☁️
Tiranë 20°C · Vranët 02 Nëntor 2026
S&P 500 7,580 ▼1.82%
DOW 51,770 ▼1.09%
NASDAQ 25,437 ▼2.86%
NAFTA 98.16 ▼5.72%
ARI 3,927 ▲0.72%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1160 EUR/GBP 0.8335 EUR/CHF 0.9201 EUR/ALL 90.9858 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5272 EUR/TRY 55.7239 EUR/JPY 175.80 EUR/CAD 1.5587 EUR/USD 1.1160 EUR/GBP 0.8335 EUR/CHF 0.9201 EUR/ALL 90.9858 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5272 EUR/TRY 55.7239 EUR/JPY 175.80 EUR/CAD 1.5587
₿ CRYPTO
BTC $78,154 ▲ +0.28% ETH $2,297 ▲ +1.35% XRP $1.2617 ▲ +0.8% SOL $94.8900 ▼ -0.02%
S&P 500 7,580 ▼1.82 % DOW 51,770 ▼1.09 % NASDAQ 25,437 ▼2.86 % NAFTA 98.16 ▼5.72 % ARI 3,927 ▲0.72 % S&P 500 7,580 ▼1.82 % DOW 51,770 ▼1.09 % NASDAQ 25,437 ▼2.86 % NAFTA 98.16 ▼5.72 % ARI 3,927 ▲0.72 %
EUR/USD 1.1160 EUR/GBP 0.8335 EUR/CHF 0.9201 EUR/ALL 90.9858 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5272 EUR/TRY 55.7239 EUR/JPY 175.80 EUR/CAD 1.5587 EUR/USD 1.1160 EUR/GBP 0.8335 EUR/CHF 0.9201 EUR/ALL 90.9858 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5272 EUR/TRY 55.7239 EUR/JPY 175.80 EUR/CAD 1.5587
02 Nën 2026
Breaking
Opinion

Si mund të orientohen kursimet dhe kapitali drejt sektorëve prioritarë të zhvillimit?

Foto ilustruese nga Pixabay.

Nga: Zef Preçi

Shkak për këtë koment u bë një analizë e shkëlqyer e ekonomistes Irena Beqiraj, në të cilën ajo shtronte pyetjen: “…a mundet një qeveri, përmes politikës fiskale, të korrigjojë një model ekonomik të ndërtuar dhe ushqyer nga vetë ajo, ku burimet orientohen gjithnjë e më shumë drejt akumulimit të pasurive të paluajtshme dhe gjithnjë e më pak drejt aktiviteteve prodhuese?”

Pra, pas dështimit të modelit ekonomik të servirur si sukses të qeverisë gjatë dekadës së fundit, arrijmë te çështja e mundësive për të orientuar apo për të drejtuar kapitalin. Le ta analizojmë këtë çështje më në detaje.

Sipas mendimit tim, Shqipëria nuk vuan nga mungesa e instrumenteve për të drejtuar kapitalin, por nga përdorimi i instrumenteve që nuk u përgjigjen pengesave reale. Shkenca e ekonomisë na mëson se politikat më efektive janë ato që ulin rrezikun dhe kostot e financimit – ankandet konkurruese, garancitë e kredisë me rrezik të ndarë, regjistrimi i tokës dhe zhvillimi i investitorëve institucionalë – dhe jo përjashtimet e gjera tatimore apo statuset diskrecionale.

Në të vërtetë, përvoja e dekadës së fundit me investitorët strategjikë ka dëshmuar gjerësisht se pikërisht këto të fundit, pra përjashtimet e gjera tatimore dhe statuset diskrecionale, kanë dominuar politikat e qeverisë. Pavarësisht kësaj, në turizëm, energji dhe bujqësi janë shfaqur edhe përvoja që mund dhe duhet të shihen si pozitive.

Çështja, pra, nuk është nëse shteti duhet të ndërhyjë, por si: duke marrë përsipër një pjesë të rrezikut në mënyrë transparente dhe me kosto të matshme, apo duke hequr dorë nga të ardhurat pa ditur saktë se çfarë përfiton në këmbim.

Ku janë pengesat?

Kredia për sektorin privat arriti rreth 35% të PBB-së, niveli më i lartë i dekadës, por mbetet e përqendruar: tregtia merr rreth 46,2% të kredisë për bizneset, ndërsa bujqësia vetëm 1,3%, ndonëse ky sektor prodhon rreth 20% të PBB-së dhe punëson rreth një të tretën e popullsisë.

Rreth 60% e kredive kanë si kolateral pasuri të paluajtshme, gjë që përjashton nga financimi ata që nuk kanë pronë me titull të qartë – pikërisht fermerët, sipërmarrjet e vogla dhe nismat e reja. Nga ana tjetër, kursimet afatgjata nuk mobilizohen: fondet private të pensioneve administrojnë vetëm rreth 67 milionë euro, të investuara tërësisht në tituj qeveritarë, ndaj ende nuk ekziston një investitor vendas që të mbajë instrumente afatgjata të sektorit privat.

Ndërkohë, të ardhurat nga të cilat shteti heq dorë përmes lehtësive tatimore (përjashtime, norma të reduktuara, pushime tatimore) arrijnë 4,8% të PBB-së, mbi mesataren e BE-së. Sipas FMN-së, Shqipëria ka edhe efikasitetin më të ulët të TVSH-së në rajon, pra mbledh më pak TVSH se fqinjët në raport me konsumin. Me fjalë të tjera, shteti heq dorë nga të ardhura të konsiderueshme, ndërsa pengesat kryesore – rreziku, kolaterali dhe qeverisja – mbeten të pazgjidhura.

Çfarë tregon përvoja sektoriale deri më sot?

Turizmi është nxitur kryesisht me lehtësi tatimore; TVSH 6% për akomodimin, përjashtim 10-vjeçar nga tatimi mbi fitimin për hotelet me status special dhe tatim 5% për agroturizmin – si dhe me statusin e investimit strategjik. Në këtë model, shteti e mban rrezikun në formën e të ardhurave të humbura, pa e ndarë atë me investitorin dhe pa e kushtëzuar me rezultate të matshme. Politika ka qenë efektive për nga vëllimi i investimeve, por jo për nga cilësia: 71,4% e investimeve strategjike janë përqendruar në turizëm, shpesh në projekte rezidenciale bregdetare, pra në segmentin ku lidhja me punësimin e qëndrueshëm dhe me zgjatjen e sezonit është më e dobët. Rreziku kryesor sot është paqëndrueshmëria e rregullave, siç e tregon, për fat të keq Paketa Fiskale 2027.

Energjia është rasti më i suksesshëm. Këtu shteti nuk dha lehtësi tatimore, por organizoi ankande konkurruese, ku fiton investitori që ofron çmimin më të ulët për energjinë që do të prodhojë. Kontrata për diferencën ia garanton fituesit këtë çmim për 15 vjet. Toka shtetërore dhe lidhja e garantuar në rrjet i heqin investitorit dy nga rreziqet më të mëdha: sigurimin e tokës dhe pritjen për t’u lidhur në rrjet. Rezultati ishin çmime shumë të ulëta: Karavastaja u fitua me 24,89 €/MWh, më pak se gjysma e tavanit.

Ky model financiar ka megjithatë një kosto që nuk duket te çmimi dhe ajo është përdorimi i tokës. Rreth 70 për qind e 71 centraleve fotovoltaike të licencuara ndodhen në qarkun e Fierit. Ndryshimet ligjore të vitit 2024 lejuan parqe diellore edhe në kullota, ndonëse shumë prej tyre përdoren prej brezash nga komunitetet lokale pa dokumente formale pronësie.

Ndryshimet e fundit në ligjin për mbrojtjen e tokës bujqësore lejojnë gjithashtu parqe agrivoltaike, parqe të erës dhe sisteme të ruajtjes së energjisë në tokë bujqësore, ndërsa përcaktimin e kritereve ia lënë Këshillit të Ministrave. Opozita e ka kundërshtuar këtë zgjidhje. Lejet e veçanta, si ajo për mbi 57 hektarë tokë pjellore në Savër të Lushnjës, forcojnë perceptimin se vendimet merren rast pas rasti, pra kemi të bëjmë me akte ligjore të porositura.

Edhe ndikimi mjedisor nuk është i vogël. Shumë licenca ndodhen pranë grykëderdhjeve të Shkumbinit, Semanit dhe Vjosës, ndërsa turbinat e erës kërkojnë themele betoni, rrugë dhe kabllo që e ndryshojnë përgjithmonë tokën. Problemi, pra, nuk është energjia e pastër në vetvete, por mungesa e një vlerësimi strategjik mjedisor dhe e një harte kombëtare që përcakton ku lejohen parqet dhe ku jo.

Pengesat tani janë kapaciteti i rrjetit dhe likuiditeti i tregut të energjisë, sepse prodhimi i ndryshueshëm nga dielli dhe era kërkon balancim dhe ruajtje. Si kundërpeshë, Shqipëria vijon të japë mbështetje të konsiderueshme fiskale për lëndët djegëse fosile, çka i dobëson sinjalet e çmimit për investimet në energji të pastër.

Bujqësia mbështetet me subvencione, grante dhe garanci kredie. Skema Kombëtare 2025 mbështeti 65.435 fermerë me 5,15 miliardë lekë, ndërsa garancia sovrane mbulon deri në 70% të kredisë, që e kombinuar me grantin, lejon financim me interes 2%.

Megjithatë, krahasimi rajonal tregon se mbështetja mbetet e ulët në raport me peshën e sektorit. Në vitin 2023, Shqipëria transferoi për bujqësinë rreth 90 milionë euro, pra 77 euro për hektar ose vetëm 2% të vlerës së shtuar bujqësore. Kosova, me një buxhet më të vogël prej 54 milionë eurosh arriti 127 euro për hektar dhe 8% të vlerës së shtuar bujqësore. Mali i Zi, me 43 milionë euro arriti 164 euro për hektar dhe 12%, ndërsa Maqedonia e Veriut me 178 milionë euro, 142 euro për hektar dhe 19%.

Mesatarja e BE-së për të gjithë Politikën e Përbashkët Bujqësore është rreth 340 euro për hektar. Edhe te garancitë e kredisë, dallimi nuk qëndron te parametrat, por te përdorimi. Fondi Kosovar për Garantimin e Kredive mbulon deri në 60% të kredisë bujqësore, më pak se skema shqiptare. Megjithatë, që nga viti 2018 ai ka garantuar rreth 2.800 kredi për agrobiznesin, me vlerë 96 milionë euro dhe me një normë kredish me probleme nën 2%.

Në Shqipëri, kreditimi i bujqësisë mbetet margjinal, ndërsa IPARD III me 112 milionë euro nga BE, vazhdon të jetë i bllokuar për shkak të abuzimeve të mëparshme. Problemi, pra, nuk është vetëm madhësia e fondeve, por edhe qeverisja e tyre dhe kapaciteti administrativ për t’i kthyer ato në investime.

Paketa Fiskale 2027: çfarë ndryshon?

Paketa u miratua nga Këshilli i Ministrave më 28 tetor 2026 dhe u dërgua në Kuvend së bashku me projektbuxhetin 2027. Dy projektligjet kryesore, për TVSH-në dhe për tatimin mbi të ardhurat, nuk janë ende ligj; tekstet parashikojnë hyrjen në fuqi më 1 janar 2027 dhe mund të ndryshojnë gjatë shqyrtimit parlamentar. Masat që lidhen drejtpërdrejt me orientimin e kapitalit janë këto:

  • TVSH-ja për akomodimin propozohet të rritet nga 6% në 10%, me rreth 614 milionë lekë të ardhura shtesë në vit. Teksti i projektligjit përfshin edhe agroturizmin, ndërsa kryeministri ka deklaruar se agroturizmi përjashtohet; kjo mospërputhje duhet zgjidhur në tekstin përfundimtar. Dhoma e Tregtisë paralajmëron se kontratat për sezonin 2027 po lidhen tashmë me çmime fikse, ndaj në afat të shkurtër barra e rritjes do të bjerë kryesisht mbi marzhet e operatorëve.
  • Tatimi mbi dividendin propozohet të rritet nga 8% në 15%, me rreth 3 miliardë lekë të ardhura shtesë. Tatimi mbi fitimin mbetet 15%, ndërsa rritja në 17% e përfshirë në draftin fillestar, u tërhoq brenda 24 orësh.
  • TVSH-ja standarde propozohet në 21%, ndërsa për 14 kategori ushqimesh bazë në 6%; kjo e fundit kushton rreth 12,8 miliardë lekë. Pragu i regjistrimit në TVSH zbret nga 10 në 5 milionë lekë me VKM nr. 822, datë 28.10.2026, tashmë të botuar dhe në fuqi nga 1 janari 2027.

Sipas mendimit tim, rritja e TVSH-së për hotelet shkon në drejtimin e duhur për sa u përket rekomandimeve të FMN-së: heq një stimul të gjerë për një sektor që tashmë financohet mirë nga bankat dhe që ka më pak nevojë për mbështetje të përgjithshme. Megjithatë, nga këndvështrimi i orientimit të kapitalit, paketa shfaq tri dobësi kryesore.

Së pari, TVSH 6% për ushqimet krijon një shpenzim të ri tatimor, pikërisht kur FMN-ja rekomandon reduktimin e tyre; nga norma e ulur përfitojnë edhe familjet me të ardhura të larta, ndërsa synimi social arrihet më lirë me ndihmë të drejtpërdrejtë vetëm për familjet në nevojë (p.sh. rritje e ndihmës ekonomike ose bonus për ushqimet), pra me transferta të shënjestruara.

Së dyti, tatimi më i lartë mbi dividendin nxit riinvestimin brenda firmës, por e bën më pak tërheqës investimin e huaj në kapitalin e firmave, pikërisht kanalin që i nevojitet një tregu kapitali në zhvillim.

Së treti, ndryshimi i tatimit mbi fitimin brenda një dite dhe njoftimi i masave vetëm dy muaj para hyrjes në fuqi dëmtojnë parashikueshmërinë, e cila për investitorin vlen më shumë se vetë madhësia e normës tatimore.

Së fundi, duhet mbajtur parasysh se në tërësinë e vet, paketa fiskale e propozuar qartazi e zhvendos balancën nga investimet tek konsumi dhe për më tej, çon në rritje të shpenzimeve publike që gërryejnë ato private.

Gjithashtu, siç ka treguar praktika e viteve te fundit, jo gjithnjë “rastësisht” gjatë shqyrtimit dhe miratimit të ligjeve të tilla, bëhen shtesa dhe amendime të nxituara duke kompromentuar edhe më tej këtë amalgamë ndërhyrjesh, gjë që në kushtet e mungesës së konsultimit publik vë në pikëpyetje seriozitetin dhe qëndrueshmërinë e saj.

Cilat politika duhen konsideruar si prioritare?

Prioriteti i parë përbëhet nga tri politika publike me efekt të lartë dhe kosto fiskale të ulët ose të moderuar:

  • Ankandet konkurruese. Mendoj se modeli i energjisë duhet zgjeruar edhe në thirrjet për grante dhe në skemat e tjera të mbështetjes, sepse çmimi i mbështetjes përcaktohet nga konkurrenca dhe jo nga negociata. Rreziqet që duhen menaxhuar janë kapaciteti i rrjetit dhe balancimi, për të mos përmendur problemet e lidhura me mbrojtjen e tokës dhe aspektet mjedisore që shoqërojnë investime të tilla.
  • Garancitë e kredisë me rrezik të ndarë (nëse kredia nuk kthehet, shteti merr përsipër 50–70% të humbjes, ndërsa pjesa tjetër, 30–50%, mbetet te banka). Ato e zhvendosin kredinë drejt sektorëve të nënfinancuar dhe ulin varësinë nga kolaterali i paluajtshëm, me kusht që banka të mbajë një pjesë reale të rrezikut; përndryshe lind hazardi moral dhe garancia shndërrohet në subvencion të fshehtë.
  • Kadastra, titujt e tokës dhe regjistri i kolateralit të luajtshëm. Kjo është masa me efektin më të madh afatgjatë, sepse e kthen tokën, makineritë, inventarin dhe të drejtat e arkëtimit në garanci kredie; rreziku kryesor është zbatimi i ngadaltë.

Prioriteti i dytë janë grantet e investimit të lidhura me rezultate (IPARD dhe skemat kombëtare), të cilat funksionojnë vetëm me kontroll të fortë, si dhe zhvillimi i fondeve të pensioneve dhe i obligacioneve bashkiake, të gjelbra ose të diasporës. Obligacionet e diasporës, në veçanti, mundësojnë që një pjesë e kursimeve të emigrantëve, të cilat sot shkojnë kryesisht te depozitat bankare ose te blerja e banesave, të investohet në projekte zhvillimi në vendlindje. Kuptohet që kjo kërkon besim te institucionet dhe garanci se paratë do të përdoren me transparencë. Këto instrumente kërkojnë kohë dhe likuiditet tregu, por janë kanali përmes të cilit kursimet vendase mund të financojnë drejtpërdrejt infrastrukturën dhe ndërmarrjet.

Prioriteti i tretë janë stimujt tatimorë të shënjestruar, me afat skadimi dhe kushte të qarta. Kjo do të ishte ndryshe nga praktika e deritanishme: shumica e stimujve kanë pasur afat, por afatet janë zgjatur disa herë, ndërsa kushtet kanë qenë kryesisht formale dhe jo të lidhura me rezultate.

Kështu, për hotelet me 4–5 yje me status special, përjashtimi 10-vjeçar nga tatimi mbi fitimin vlente për ato që merrnin statusin deri në dhjetor 2024. Në vitin 2025 afati u shty deri në dhjetor 2026, ndërsa afati për fillimin e veprimtarisë pas marrjes së statusit u zgjat nga 3 në 5 vjet. Kushtet janë kategoria, një markë ndërkombëtare (“brand name”) dhe pragjet e investimit; nuk ka kushte për punësim, sezonalitet apo performancë.

Për agroturizmin, tatimi 5% vlente fillimisht për subjektet që merrnin certifikatën deri më 31 dhjetor 2021, ndërsa sot norma 5% zbatohet deri më 31 dhjetor 2029. TVSH-ja 6% për akomodimin nuk ka afat skadimi, sepse është normë e përhershme për gjithë sektorin; Paketa Fiskale 2027 propozon ta rrisë në 10%.

Në qershor 2025, qeveria përfundoi një raport për 74 lehtësi tatimore. Sipas BE-së, raporti nuk është bërë publik dhe nuk janë hartuar propozime konkrete për heqjen e lehtësive të pajustifikuara. BE e konsideron zgjatjen e lehtësive për hotelet luksoze në kundërshtim me angazhimin për t’i ulur ato. Efekti i stimujve të tillë është mesatar, ndërsa rreziku kryesor është presioni për t’i zgjatur pa një justifikim në interes publik.

Sipas mendimit tim, duhen reduktuar, reformuar ose zëvendësuar tri lloje politikash:

1. TVSH-ja e ulur për gjithë sektorin, që kushton shumë dhe ka efekt të paqartë mbi investimet;

2. Statusi diskrecional i investimeve strategjike, me kosto të fshehtë (tokë publike, privilegje procedurale) dhe rrezik të lartë kërkimi rente, pra përpjekje për të përfituar privilegje nga shteti në vend të fitimit nga konkurrenca;

3. Subvencionet për inputet, si nafta, që e ulin koston përkohësisht pa e rritur produktivitetin.

Radha e masave ka rëndësi. Reformat e pronës dhe të kolateralit duhet të nisin menjëherë, sepse efekti i tyre vjen pas disa vitesh, ndërsa ankandet dhe garancitë mund të zgjerohen që në buxhetin e vitit 2027. Lehtësitë e gjera tatimore duhet të hiqen gradualisht dhe me paralajmërim, në mënyrë që tregu të përshtatet pa humbur besimin te rregullat.

Disa rekomandime modeste

  • Energjia: të ruhet modeli i ankandeve dhe investimet të drejtohen te rrjeti, ruajtja e energjisë dhe tregu i balancimit, me ankande të veçanta për bateritë dhe me komunitete energjetike për familjet dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM).
  • Bujqësia: konsolidim i tokës dhe i titujve të pronësisë; paketë grant + garanci + kredi bankare, me mbështetjen e programit 25 miliardë lekë të Bankës së Shqipërisë; kalim nga subvencionet për inputet te investimet në ujitje, magazinim, përpunim dhe kooperativa bujqësore; përmirësim i qeverisjes, me kontroll të pavarur dhe transparencë të plotë për përfituesit, për të zhbllokuar IPARD III.
  • Turizmi: rritja e TVSH-së për hotelet është e justifikueshme për një sektor të pjekur, por duhet zbatuar gradualisht gjatë 3–5 viteve të ardhshme (pra me një rritje prej një pike përqindjeje çdo vit) ose të mos prekë kontratat e lidhura para miratimit, ndërsa teksti i ligjit duhet ta qartësojë trajtimin e agroturizmit; të ardhurat shtesë të drejtohen te infrastruktura e destinacioneve dhe te turizmi jashtë sezonit; ligji për investimet strategjike të reformohet me kritere publike, me ndalim të komponentëve rezidencialë dhe me kthim të përfitimeve kur angazhimet nuk përmbushen.
  • Parime të përbashkëta: çdo stimul me afat skadimi, analizë kosto-përfitim dhe raportim publik; ndryshimet tatimore të paralajmëruara të paktën gjashtë muaj përpara dhe pas konsultimit me komunitetin e biznesit; kostoja e mbështetjes e përcaktuar nga konkurrenca; rregulla të parashikueshme; dhe një shtyllë pensioni me përfshirje automatike, që t’i drejtojë kursimet e familjeve dhe të diasporës drejt investimeve produktive.

Në përfundim, mendoj se Shqipëria duhet të kalojë nga një model që “blen” investime duke hequr dorë nga tatimet, siç ka ndodhur deri më sot, te një model që i bën projektet e mira zhvillimore më të financueshme. Ky kalim kërkon më pak para publike, por më shumë institucione të besueshme: regjistra të saktë të pronësisë, ankande transparente, agjenci që i zbatojnë rregullat njëlloj për të gjithë dhe politika fiskale të mirëmenduara, që nuk ndryshojnë nga një ditë në tjetrën.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.