NJU JORK – Van Gogh thyen rekordin në ankand, piktura shitet për 190,4 milionë dollarë
LONDËR, 19 nëntor /ATSH-DPA/ – Një pikturë e artistit të njohur holandez, Vincent van Gogh është shitur për 190,4 milionë dollarë në një ankand të organizuar nga shtëpia e ankandeve “Sotheby’s” në Nju Jork, duke vendosur një rekord të ri për veprat e tij të shitura në ankand.
Piktura titullohet “Châtaigniers en fleurs” (Gështenjat në lulëzim) dhe paraqet një peizazh me pemë gështenjash të mbuluara me lule. Ajo u shit për herë të parë në një ankand publik dhe arriti çmimin më të lartë të paguar ndonjëherë për një vepër të Van Gogh-ut në ankand.
Gjithashtu, kjo është vepra e dytë më e shtrenjtë e shitur ndonjëherë në ankandet e “Sotheby’s”. Rekordi mbahet nga piktura “Portreti i Elisabeth Lederer”, e artistit austriak Gustav Klimt, e cila u shit një vit më parë për 236,4 milionë dollarë.
Van Gogh e realizoi këtë peizazh gjatë dy muajve të fundit të jetës së tij, pasi ishte larguar nga institucioni psikiatrik i Saint-Rémy-së në Francë, ku kishte qëndruar për trajtim.
Më pas, artisti u vendos në një fshat piktoresk në veriperëndim të Parisit. Sipas shtëpisë së ankandeve “Sotheby’s”, kjo periudhë u karakterizua nga një rikthim i fuqishëm i energjisë dhe optimizmit të artistit, të cilat u pasqyruan edhe në pikturat e tij. “Sotheby’s” e përshkroi këtë fazë si periudhën më intensive dhe më shprehëse të krijimtarisë së tij.
Shitja e pikturës u përball me një pengesë ligjore, pasi pasardhësit e botuesit gjerman Samuel Fischer kërkuan të ndalonin ankandin.
Familja Fischer pretendonte se piktura ishte shitur prej tyre në vitin 1936, në kushte të detyruara, për shkak të përndjekjes nga regjimi nazist në Gjermani. Familja ishte detyruar të largohej nga Berlini për t’i shpëtuar përndjekjes.
Pak orë përpara zhvillimit të ankandit, “Sotheby’s” njoftoi se ishte arritur një marrëveshje mes trashëgimtarëve të familjes Fischer dhe familjes Blaquier-Arrieta, e cila e kishte blerë pikturën në vitin 1975 dhe e kishte nxjerrë në shitje.
Në një deklaratë, “Sotheby’s” bëri të ditur se të dyja familjet kishin arritur një marrëveshje të pranueshme për të dyja palët, duke marrë parasysh historinë e ndërlikuar të veprës gjatë periudhës naziste dhe vuajtjet e familjes Fischer gjatë Holokaustit.
Trashëgimtarët e Fischer shprehën mirënjohjen për negociatat dhe bashkëpunimin me familjen Blaquier-Arrieta dhe Sotheby’s, duke theksuar se marrëveshja mundëson njohjen e vuajtjeve të familjes së tyre gjatë periudhës naziste dhe respektimin e përpjekjeve për drejtësi.
Gisela Berman Fischer, mbesa e Samuel Fischer, kishte zhvilluar për shumë vite një fushatë për rikthimin e veprave të artit që i përkisnin familjes së saj dhe që ishin marrë gjatë përndjekjeve naziste.
Një nga rastet ishte piktura e artistit francez Camille Pissarro, me titull “Le Quai Malaquais et l’Institut, Printemps”, e cila ishte grabitur nga nazistët në vitin 1938, nga banesa e familjes në Vjenë.
Në vitin 2008, Gisela Berman Fischer fitoi një proces gjyqësor për rikthimin e pikturës. Një vit më vonë, familja e nxori veprën në ankand në shtëpinë e ankandeve Christie’s, ku ajo u shit për 2,2 milionë dollarë.
“Gështenjat në lulëzim” ishte një nga 12 pikturat, kryesisht të ekspozuara rrallë ose të panjohura për publikun, që u nxorën në shitje nga koleksioni privat Blaquier-Arrieta. Në këtë koleksion përfshiheshin edhe vepra të artistëve të njohur Paul Cézanne dhe Claude Monet. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.