Skandali me publikimin e videove seksuale: Personazhe të njohur të shantazhuar me pamje private! Asnjë reagim nga Policia dhe
Që prej mbrëmjes së djeshme, në disa platforma online, rrjete sociale e kryesisht në whatsapp, po qarkullojnë një seri videosh të cilat kanë në qendër një emër të njohur të botës së muzikës, dhe këngëtare e artiste, të përfshira në marrëdhënie seksuale me të.
Ajo që i jep gjithë kësaj, përmasat e një skandali, nuk është përmbajtja e tyre. Të gjithë protagonistët e tyre, janë në moshë madhore dhe secili është i lirë të bëjë zgjedhjet e tij. Të kryesh marrëdhënie seksuale në një ambient privat nuk përbën krim.
I rëndë është fakti i publikimit të videove, për më tepër, pa kujdesin me të vogël për të ruajtur anonimitetin, të paktën të grave të përfshira dhe mbulimin e pjesëve intime të trupit. Jeta private e gjithkujt është e mbrojtur, dhe askush nuk mund ta cënojë atë.
Elton Tozaj, ka marrë autorësinë e publikimit, duke folur për një investigim mbi mënyrat e ulta, dhe ngacmimet seksuale me të cilat detyrohen të përballen shpesh artistë që duan të bëjnë karrierë në botën e artit. Situata të tilla janë të njohura në botë dhe nuk kanë munguar rastet kur janë zbuluar dhe nga gazetarët. Por ato kanë patur në bazë rrëfimet e viktimave, dhe jo publikimin e akteve apo rrethanave në të cilat ato kanë qenë të përfshira. Ndërkohë që në këtë rast, nuk kemi, të paktën për momentin, asnjë indicie të një situate të ngjashme. Përkundrazi, gratë që sipas pretendimeve të Tozajt, do të ishin viktimat e artistit të njohur, janë “dënuar” në mënyrën më brutale e të shëmtuar, nga publikimi i këtyre videove. Gjatë ditës një prej artisteve të përfshira, u shtrua me urgjencë në spital, në kushtet e një traume të fortë psikologjike.
Nga ana tjetër duket absurd qëndrimi i policisë apo prokurorisë. Pasiviteti i tyre justifikohet me mungesën e një denoncimi, ndërkohë që cënimi i jetës private është i parashikuar dhe i dënueshëm nga Kodi penal.
Gjithçka është publike, dhe duket e pajustifikueshme mungesa e një ndërhyrjeje. Qoftë për të bllokuar publikimin e mëtejshëm, qoftë dhe për të zbuluar, qëllimin e realizimit të videove dhe se si ato rrodhën për t’u shpërndarë me shpejtësinë vrastare të rrjeteve sociale.
Çfarë parashikon kodi penal?
Neni 121
Ndërhyrje të padrejta në jetën private
Vendosja e aparaturave që shërbejnë për dëgjim apo regjistrim të fjalëve ose të figurave, dëgjimi ose regjistrimi i fjalëve, fiksimi ose regjistrimi figurave, si dhe ruajtja për publikim i të dhënave që ekspozojnë një aspekt të jetës private të personit, pa pëlqimin e tij, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
Shpërndarja, ofrimi për publikim apo publikimi me çdo mjet ose formë të komunikimit publik apo mënyrë tjetër i të dhënave të marra në mënyrën e përcaktuar në paragrafine parë të këtij neni, dënohet me burgim deri në tre vjet.
Neni 122
Përhapja e sekreteve vetjake
Përhapja e një sekreti që i përket jetës private të një ose personi nga ai që e siguron atë për shkak të detyrës të profesionit, kur detyrohet të mos e përhapë pa qenë i autorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
Po kjo vepër, e kryer me qëllim fitimi ose për të dëmtuar një person tjetër, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. /Shqiptarja/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.