Sonte koncerti i Kanye West, Rama: Marketing global. Një investim që sjell botën në Shqipëri
Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga stadiumi ku do të mbahet koncerti i artistit amerikan Kanye West, duke e cilësuar eventin si një mundësi për promovimin e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama tha se koncerti është më shumë se një ngjarje muzikore, duke e përshkruar si një investim në turizëm dhe imazhin e vendit.
“Gati stadiumi i koncertit që do të fusë Shqipërinë në një tjetër hartë globale, atë të komunitetit botëror të amatorëve të muzikës, të cilët falë ngjarjes muzikore të mbrëmjes së sotme do të bëjnë atë që bëjnë kudo shkon Kanye West: Do të vijnë të vizitojnë Shqipërinë”, shkruan Rama.
Duke iu referuar kritikave për kostot e organizimit të koncertit, kryeministri deklaroi se shpenzimi i përfolur prej 4 milionë eurosh duhet parë si një investim që, sipas tij, do të gjenerojë të ardhura për sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
“Disa vazhdojnë të flasin për 4 milionë euro shpenzim për një natë, por vetlm kush nuk do s’e kupton që ato 4 milionë janë një investim, i cili do të rikthehet nga mijëra vizitorët që në 48 orët e fundit janë shtuar në hotelet, apartamentet, restorantet, baret, dyqanet, taksitë. Më shumë se sa 4 milionë do të jenë të ardhurat që do të rikthehen edhe në vetë arkën e shtetit, nga rritja e konsumit – është vërtetë gjynah që rrimë bëjmë këtë bisedë, në një ditë të shënuar kulturore si kjo për Shqipërinë”, thekson kryeministri.
Rama theksoi se ngjarjet e mëdha kulturore kanë ndikim ekonomik dhe shërbejnë si reklamë ndërkombëtare për vendin, duke shtuar se një promovim i tillë do të kushtonte më shumë përmes fushatave tradicionale.
Sipas tij, kultura nuk duhet parë vetëm si një element artistik, por edhe si një faktor zhvillimi ekonomik dhe turistik. Ai solli si shembull koncertin e Kanye West në Stamboll, për të cilin pretendoi se solli mbi 100 milionë euro vlerë të shtuar për ekonominë lokale.
“Një koncert i kësaj përmase dhe i këtij artisti, nuk është thjesht një ngjarje artistike. Është marketing global për Shqipërinë, një reklamë që do të kushtonte shumë më tepër po të blihej me fushata tradicionale. Dhe kjo nuk është një shpikje shqiptare. Është mënyra se si veprojnë vendet më të zhvilluara të Europës. Kush kujton se kultura është luks duhet ta rishikojë këtë opinion të gabuar.
“S’kemi bukë, s’na duhet kultura”? Gabim, kultura nuk është vetëm ushqim shpirtëror, po edhe ekonomi, turizëm, zhvillim. Bukë! (Nga koncerti Kanye West pak javë më parë, Stambolli pati mbi 100 milionë Euro vlerë të shtuar).
Prandaj ta paraqesësh një investim të tillë si para të hedhura në erë është të mos kuptosh se si krijohet vlerë monetare nga ngjarjet kulturore e sportive, ndërkohë që e kundërta, anullimi i koncertit, do të ishte turpërim i Shqipërisë dhe dëm i madh në imazhin e mezingritur të vendit tonë. Shqipëria nuk fiton duke u fshehur nga bota. Shqipëria fiton duke e sjellë botën në shtëpinë e saj”, përfundon Rama postimin e tij.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.