Sot dita 11-të e protestës, në Tiranë pritet të vijnë edhe shqiptarë nga jashtë kufijve
Qytetarët do të protestojnë edhe këtë të mërkurë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në ditën e 11-të radhazi të tubimeve, me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Ashtu si në ditët e mëparshme, protestuesit do të mblidhen në orën 18:00 në sheshin Sheshi Skënderbej, për të marshuar më pas drejt godinës së qeverisë. Aty do të mbahen fjalime nga organizatorë, aktivistë dhe qytetarë, ndërsa në vijim protesta do të shtrihet në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit.
Tubimi i kësaj të mërkure është cilësuar si protestë mbarëkombëtare, me thirrje për pjesëmarrje edhe nga shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë. Organizatorët e lidhin këtë datë me përvjetorin e themelimit të Lidhjes së Prizrenit, duke e konsideruar atë një simbol të bashkimit kombëtar.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish këtë të mërkurë në rrjetin social Facebook, duke theksuar nevojën për hapje ndaj investimeve të huaja ndërsa krahason zhvillimet ekonomike në Greqi me situatën në Shqipëri, duke u shprehur se vendi fqinj po vijon të tërheqë me sukses investime të huaja dhe po zhvillon sektorin e turizmit, ndërsa Shqipëria, sipas tij, po pengohet nga debate të brendshme që rrezikojnë ritmin e zhvillimit.
Ai shkruan se Shqipëria nuk duhet të “mbyllë rrugët për kapitalet e mëdha”, duke e konsideruar këtë si një moment të rëndësishëm për ekonominë dhe të ardhmen e turizmit, në një kohë kur sipas tij investimet e huaja po rriten në vend.
Postimi vjen në sfondin e protestave të ditëve të fundit në kryeqytet, ku qytetarë dhe aktivistë kanë dalë në rrugë ndërsa marshimet janë shoqëruar me thirrje edhe për dorëheqjen e qeverisë.
Në artikullin e shpërndarë nga kryeministri përmenden gjithashtu investime të reja në ishullin Mykonos, ku pritet hyrja e markave ndërkombëtare të hotelerisë si Four Seasons, Fouquet’s dhe MGallery, si dhe projekte të tjera turistike që pritet të forcojnë më tej pozicionin e Greqisë në tregun mesdhetar të turizmit.
Ambasadorja e Izraelit në Tiranë, Galit Peleg, në një video-mesazh ka reaguar këtë të mërkurë lidhur me mosrespektimin e flamurit izraelit nga protestuesit shqiptarë në Tiranë dhe komentet negative që ajo ka marrë në rrjetet sociale për popullin izraelit.
Sipas saj, këto komente dëmtojnë imazhin e Shqipërisë dhe kur njerëzit shprehen në mënyrë raciste apo anti-semite, nuk dëmtojnë Izraelin apo hebrenjtë, por vetveten.
“Dje publikova një foto ku u bëra thirrje protestuesve në rrugët e Tiranës të respektojnë flamurin izraelit që ishte vendosur nga Bashkia me rastin e Javës Kulturore të Izraelit. Pati shumë komente, disa prej tyre mbështetëse, disa kundërshtuese dhe disa mallkuese.
Së pari, dua t’ju falënderoj që komentuat, sepse kontribuuat në rritjen e trafikut në rrjetet sociale. Atyre që mallkuan, nuk dua t’u përgjigjem, pasi nuk më respektojnë mua, vetveten dhe, sipas fjalorit që përdorin, nuk respektojnë as nënat e tyre.
Por dua të them diçka në lidhje me komentet në rrjetet e mia sociale, pasi ka disa pika që duhen sqaruar.
Së pari, kur njerëzit thonë “nuk urrejmë hebrenjtë, por zionistët”, dua të sqaroj çfarë është zionizmi. Të jesh zionist do të thotë të besosh se hebrenjtë kanë të drejtë të kenë shtetin e tyre dhe që Izraeli ka të drejtë të ekzistojë. Kjo nuk tregon përkrahje për këtë apo atë qeveri apo politikë.
Së dyti, kur njerëzit thonë se refuzojnë projektin e Jared Kushner dhe për këtë arsye urrejnë hebrenjtë, izraelitët apo zionistët, kjo është antisemitizëm. A mund ta imagjinoni nëse unë nuk pëlqej një person të krishterë dhe them se urrej të gjithë të krishterët? Ose nëse nuk pëlqej një person mysliman dhe them se urrej të gjithë myslimanët?
Kjo do të ishte racizëm. Po kështu, të përgjithësosh një qëndrim ndaj një personi dhe ta shtrish tek një popull i tërë është antisemitizëm.
Së fundi, kur njerëzit shprehen në mënyrë raciste apo anti-semite, nuk dëmtojnë Izraelin apo hebrenjtë, por dëmtojnë Shqipërinë, pasi Shqipëria njihet për njerëzit e saj bujarë, mikpritës dhe të sjellshëm. Këto janë vlerat e saj. Kur silleni kështu, duke mallkuar e sulmuar, po dëmtoni emrin e Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të mërkurë në rrjetin social X ndaj një deklarate të zëdhënësit të Iranit lidhur me situatën e protestave kundër projektit të Zvernecit.
Në postimin e tij, Rama akuzon Teheranin për ndërhyrje dhe përhapje të dezinformimit, duke deklaruar se “qeveria e ajatollahëve të Teheranit” i është bashkuar zyrtarisht protestës, ndërsa shpreh shqetësimin se kauza mjedisore po përdoret për qëllime politike.
“Ja edhe qeveria e ajatallohëve të Teheranit i bashkohet zyrtarisht protestës, madje edhe me parrullat në shqip njësoj si ata që e kthyen nga protestë mjedisore në protestë për rrëzimin e qeverisë!”, shkruan Rama në X.
Kreu i qeverisë thekson se një pjesë e protestuesve vijojnë të jenë të angazhuar për mbrojtjen e mjedisit, por sipas tij, çështja është instrumentalizuar nga aktorë të ndryshëm të brendshëm dhe të jashtëm.
Në reagimin e tij, Rama shprehet se Shqipëria nuk duhet të bëhet “shesh për përplasjet e fuqive të ndryshme”, duke përmendur edhe atë që ai e cilëson si përfshirje të grupeve, mediave ndërkombëtare dhe individëve të ndryshëm që, sipas tij, po kontribuojnë në përhapjen e informacionit të pasaktë rreth projektit.
Kryeministri nënvizon se vendi rrezikon të dëmtojë klimën e investimeve dhe perspektivën e zhvillimit ekonomik nëse krijohet një perceptim negativ për Shqipërinë.
“Shqipëria është shumë e vogël për të rënë në këtë kurth të madh, nga ku rrezikojmë të kthehemi me këmbët tona në pikën që të mos afrohet më asnjë investitor i huaj, ndërsa turizmi të mbetet shumë mbrapa krahasimisht me konkurentët tanë”, shkruan Rama.
Reagimi i kryeministrit vjen në një moment kur debati mbi projektin në zonën e Zvernec dhe protestat kundër tij vijon të mbetet në qendër të vëmendjes publike. Rama e shoqëroi postimin me atë që e cilësoi si një replikë ndaj deklaratës së palës iraniane, duke mbrojtur qëndrimin e qeverisë dhe duke kundërshtuar pretendimet e ngritura ndaj projektit.
Kryeministri Edi Rama vazhdon të mbrojë idenë për një projekt luksoz të lidhur me dhëndrin e presidentit të SHBA-së Donald Trump, Jared Kushner, pavarësisht një rritjeje të protestave kundër tij.
Në një intervistë me Associated Press të martën, Rama i hodhi poshtë kundërshtimet mjedisore si rezultat i dezinformimit dhe tha se ky zhvillim po e kthente Shqipërinë nga një vend dikur të injoruar nga investitorët në një vend “ku kapitali i madh dëshiron të vijë dhe investitorët e mëdhenj duan të vijnë”.
Qeveria thotë se ky zhvillim do të ishte transformues për ish-kombin komunist, ndërsa kërkon të hyjë në tregun e turizmit të nivelit të lartë dhe shtyn përpara anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Por mijëra demonstrues i janë bashkuar protestave të përditshme jashtë zyrës së Ramës në kryeqytet, Tiranë kundër projektit të planifikuar që përfshin hotele, apartamente, vila dhe një marinë për jahte.
Kryeministri tha se një vlerësim formal i ndikimit në mjedis nuk ka filluar ende, edhe pse puna ka filluar për pastrimin e tokës brenda një rezervati natyror.
I pyetur nëse mund të tërhiqej nga projekti, Rama refuzoi, duke shtuar: “Tërhiquni nga çfarë?”
SPAK ka hapur një hetim në lidhje me projektin. Qeveria thotë se toka është në pronësi private, por kanë dalë pretendime rivale mbi privatizimin e saj.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.