Spahiu: Forca të errëta po përdorin protestën për përçarje dhe destabilizim
Klodiana Spahiu, nënkryetare e Kuvendit, deklaroi se ka forca të errëta në protestë “që kërkojnë që me simbolin e vdekjes të përçajnë shqiptarët”.
“Në 16 vite në politikë kam arritur të kuptoj që ka momente kur dalin forca të errëta, ato që shkatërrojnë pronën e përbashkët, ato që qëllojnë me gurë mbi forcat e policisë, mbi ruajtjen e rendit dhe ato që kërkojnë që me simbolin e vdekjes të përçajnë shqiptarët. Do ta kuptoni shumë mirë se kush është pas tyre”, tha Spahiu në “Off the Record” nga Andrea Danglli, A2CNN.
“Pa dyshim që ne kemi dhe shtete me të cilat ju e dini shumë mirë që i kemi prishur marrëdhëniet diplomatike, e dini shumë mirë që na kanë sulmuar në mënyrë të vazhdueshme dhe janë forca që nuk i intereson anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian. Për këtë të jeni të sigurtë. Mjafton t’ju jap edhe një detaj tjetër: çështjen e algoritmit. Vetëm një përqindje minimale është e prodhuar brenda Shqipërisë. 80% është e prodhuar jashtë Shqipërisë. Si e shpjegoni ju këtë? Ju e shpjegoni që unë bëj një postim dhe vetëm për një fjali të postimit që s’ka ndodhur kurrë kam 3 000 reagime dhe ju mendoni që kjo është e shqiptarëve? Po ju shpjegoj fenomenin që po ndodh sot. Kështu që, mos i ngatërroni hallet e shqiptarëve se janë dy gjëra krejt të ndryshme dhe është pjesa pozitive e protestës që duhet dëgjuar, me ato që kërkojnë destabilizim, shkatërrim, që kanë gjetur një bërthamë mbështetje brenda këtu tek ne”, shtoi ajo.
Më tej, Spahiu tha se “në këtë moment që jemi, duhet të punojmë të gjithë nga pak për ta çuar procesin e integrimit atje ku duhet”.
“Jam njeriu që në 16 vjet ka menduar që ne duhet t’i dëgjojmë në çdo moment qytetarët dhe nuk e kam parë politikën asnjëherë në këto 16 vite si përfitim, por e kam parë si një mënyrë për të mbështetur qytetarët dhe e dini shumë mirë që në këtë moment që jemi, duhet të punojmë të gjithë nga pak për ta çuar procesin e integrimit atje ku duhet”, deklaroi Spahiu.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.