Specialja nuk përjashton mundësinë e një shtyrjeje tjetër të vendimit
Teksa kanë mbetur edhe pak javë deri në afatin e 22 korrikut për shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, mbrojtja dhe njohësit e drejtësisë vlerësojnë se procesi është zvarritur tej mase dhe se vazhdimi i paraburgimit po cenon të drejtat e të akuzuarve.
Megjithëse Dhomat e Specializuara e kanë arsyetuar shtyrjen e vendimit me kompleksitetin dhe vëllimin e madh të lëndës, mbetet e paqartë nëse gjyqtarët do ta respektojnë këtë afat apo do të kërkojnë kohë shtesë për finalizimin e aktgjykimit.
Ka mbetur edhe një muaj deri në afatin e dhënë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për shpalljen e vendimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Vendimin për shtyrjen e vendimit deri më 22 korrik, specialja e kishte arsyetuar me volumin e madh të lëndës, që sipas saj, kërkon shumë kohë për analizim dhe shqyrtim nga trupi gjykues.
Por, ky afat, sipas Dhomave të Specializuara mund të shtyhet përsëri, nëse gjyqtarët e shohin të nevojshëm. E derisa ditët po ecin, Thaçi dhe të tjerët vazhdojnë të mbahen në paraburgim edhe më shumë se katër muaj pas përmbylljes së procesit gjyqësor.
Njohës të ligjit thonë se procesi nga fillimi ka qenë jo i drejtë dhe është zvarritur shumë, duke shkelur të drejtat e të akuzuarve. Sipas tij, gjasat që vendimi të shtyhet prapë ekziston.
“E ligjshme është, sa i përket e logjikshme për ne që jetojmë në Kosovë është e palogjikshme për shkak se është një zvarritje dhe sipas të gjitha gjasave ndodh, ka shkresa të shumta, edhepse gjyqtarët vazhdimisht gjatë proceseve gjyqësore I kanë shqyrtu, I kanë lexu I kanë dëgju dëshmitarët, prapë ligji I obligon që ti analizojnë të gjitha shkresat një nga një e jot ë gjitha së bashku. E rëndësishme në fund të fundit është vendimi me ardh pozitiv edhe ata me u liru, ndërsa për zvarritje, kanë prit disa vite, le të presin edhe disa muaj se më tepër nuk shkon”, tha për RTK, Skender Musa, avokat.
E me vazhdimin e paraburgimit derisa janë në pritje të vendimit po u shkelen të drejtat thotë edhe avokati tjetër, Arbër Jashari.
“Me momentin që janë dëgju dëshmitarët e prokurorisë nuk ka asnjë arsye më që ata njerëz të qëndrojnë atje, arsye ligjore e kam fjalën, vet fakti që janë administrua të gjitha provat dhe procesi ka përfundua dhe tash jemi vetëm në pritje të aktgjykimit tregon që kanë pushuar pothuajse edhe ato arsyet minimale me të cilat gjykata mund ta justifikoj atë se këta të dyshuar mund ta pengojnë procesin”, pohoi ai.
Thaçi dhe të tjerët ndodhen në paraburgim në Hagë nga nëntori i vitit 2020, derisa në shkurt ata në fjalët e tyre përmbyllëse deklaruan se janë të pafajshëm dhe se lirimi i tyre do të ishte vendimi më i drejtë. /rtk/




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.