Kos pas takimit me Salin në Bruksel: Ndryshimet kushtetuese janë hapi juaj i radhës drejt BE-së
Maqedonia e Veriut duhet të miratojë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar procesin e eurointegrimit pa vendime shtesë politike, porositi komisionerja europiane për zgjerim Marta Kos pas takimit të sotëm në Bruksel me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin për çështje europiane, Bekim Sali, siç njofton portali Provereno.
“Bëhet fjalë për një hap – ndryshimet kushtetuese. Pasi të miratohen amendamentet kushtetuese, do të mund të vazhdojmë pa vendime shtesë politike. Prandaj, ky është apeli im drejtuar Qeverisë: ju lutem, bëjeni, përmbusheni detyrimin tuaj. Jam e sigurt se atëherë do të mund të ecim përpara, në interesin më të mirë të qytetarëve tuaj”, tha Kos.
Komisionerja vlerësoi se momenti aktual është një mundësi që edhe Maqedonia e Veriut të përparojë drejt Bashkimit Europian, duke vënë në dukje përparimin e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. “Jetojmë në një moment historik, në të cilin disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor po përparojnë. Shpresoj se shumë shpejt do ta nënshkruajmë marrëveshjen e anëtarësimit me Malin e Zi. Edhe Shqipëria po përparon mirë. Prandaj, ky është vërtet momenti i duhur që edhe Maqedonia e Veriut të ecë përpara. Nga politikanët në Maqedoninë e Veriut varet nëse do t’i përmbushin pritshmëritë”, porositi Kos, sipas raportimit të Provereno-s.
Në takim, siç njoftoi Ministria për Çështje Europiane, Sali dhe Kos biseduan për perspektivën europiane të vendit, zhvillimet më të fundit në politikën e zgjerimit të BE-së, zbatimin e Agjendës së Reformave dhe mundësitë për integrim të përshpejtuar dhe gradual në politikat dhe programet europiane. Sali e përshëndeti komunikatën e Komisionit Europian “Preparing for a Wider Union”, duke theksuar nevojën për një proces zgjerimi më të parashikueshëm, të bazuar në merita dhe rezultate të matshme.
“Integrimi europian nuk duhet të mbetet vetëm perspektivë politike. Ai duhet të shndërrohet në mundësi reale për qytetarët, ekonominë dhe bizneset tona. Reformat që po i zbatojmë duhet gradualisht të na afrojnë me tregun, programet dhe politikat e Bashkimit Europian”, theksoi Sali.
Në bisedime u prekën edhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe zbatimi i Agjendës së Reformave, ku Sali e rikonfirmoi përkushtimin e vendit për reformat në sundimin e ligjit, administratën publike, digjitalizimin, energjetikën dhe konkurrueshmërinë ekonomike. Vëmendje e veçantë iu kushtua përfitimeve konkrete të integrimit gradual, ndër të cilat pjesëmarrja në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), mundësia e zgjerimit të modelit “Roam Like at Home” dhe bashkëpunimi në transformimin digjital. Sali ndodhet në një vizitë treditore pune në Bruksel, ku zhvillon takime me përfaqësues të institucioneve europiane.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.