STOKHOLM – Michael Woodford dhe Robert Hall marrin çmimin Nobel në Ekonomi
STOKHOLM, 12 tetor /ATSH-AFP/ – Çmimi Nobel në Ekonomi iu dha sot amerikanëve Michael Woodford dhe Robert Hall për punën e tyre për “themelet mikroekonomike të stabilizimit makroekonomik”.
”Ata zhvilluan modele të reja makroekonomike që kanë përmirësuar aftësinë tonë për të zbatuar politika efektive të stabilizimit”, vuri në dukje Komiteti i Nobelit.
”Në vend që t’i bazonin këto modele në marrëdhëniet statistikore midis variablave makroekonomike si inflacioni, prodhimi dhe konsumi, ata zgjodhën t’i ndërtonin ato mbi themele mikroekonomike. Kjo qasje mbështetet në veçanti në të kuptuarit se si të gjitha familjet dhe bizneset, përmes veprimeve të tyre individuale, ndikojnë në ekonomi”, sipas jurisë.
“Puna e laureatëve na ka ofruar një bazë të fortë teorike për modelet që përdoren tani nga bankat qendrore dhe qeveritë në të gjithë botën”, tha John Hassler, kryetar i komitetit të çmimeve në ekonomi.
“Falë këtyre modeleve, ne jemi më të pajisur për t’u përballur me tronditjet ekonomike, të tilla si krizat energjetike ose ndryshimet e papritura në nivelet e konsumit të familjeve”, shtoi ai.
Vitin e kaluar, çmimi iu dha izraelito-amerikanit Joel Mokyr, francezit Philippe Aghion dhe kanadezit Peter Howitt për punën e tyre mbi ndikimin e inovacionit në rritjen ekonomike.
Çmimi Nobel, i cili vjen gjithashtu me një diplomë dhe një çek prej 12 milionë kronash suedeze (pak më shumë se një milion euro) këtë vit, do të jepet më 10 dhjetor./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.