Sulmi ndaj bankave është vetëvrasje ekonomike, që nuk dëmton qeverinë e korruptuar, por vetë qytetarët
Tirana po përjeton orë të rënda tensioni, ku pamjet e xhamave të thyer, bankomateve të shkatërruara dhe degëve të bankave të djegura në mes të rrugëve kryesore kanë rikthyer një ndjenjë të frikshme pasigurie. Por kauzat politike nuk mund dhe nuk duhet të kthehen në një ortek shkatërrues që godet infrastrukturën kritike të vendit dhe jetesën e mijëra familjeve.
Kur thyhet një xham banke ose kur digjet një kioskë, nuk goditet “kapitalizmi i ftohtë” apo “qeveria e korruptuar”, por goditet siguria e qytetarëve, puna e punonjësve dhe sakrifica e sipërmarrësve që mbajnë gjallë ekonominë lokale. Këtu rreziku shkon përtej xhamave të thyer dhe dëmeve të dukshme materiale.
Sulmet e përsëritura ndaj institucioneve bankare dhe rrjetit të ATM-ve kanë potencialin e frikshëm për të paralizuar të gjithë sistemin financiar të vendit. Bankat nuk janë thjesht godina me mure; ato janë arteriet jetike përmes të cilave qarkullon ekonomia e përditshme. Kur këto arterie bllokohen, efekti domino që pason është një goditje në zemër të mbijetesës së çdo shqiptari.
Ndërsa qeveria ka degraduar deri në pikën që nuk garanton dot më rendin dhe sigurinë publike, përveç mbrojtjes së godinës së Partisë Socialiste, kjo nuk duhet të jetë kurrsesi një arsye për të goditur sistemin bankar. Sepse të humburit do të jenë qytetarët.
Nëse bankat do të ndërpresin veprimtarinë e tyre, qoftë edhe për pak ditë, ekonomia rrezikon të rrëshqasë drejt një gjendjeje primitive, ndërsa pasojat sociale do të jenë të rënda.
Në planin e përditshëm, transaksionet elektronike ngrijnë, kurse njerëzit mbeten pa akses tek paratë e tyre. Pa mundësinë për të tërhequr kesh apo për të përdorur kartat, konsumi bie në pikën zero; prindërit nuk financojnë dot blerjet më bazike si buka apo qumështi i fëmijëve, dhe të sëmurët mbeten pa medikamentet jetike nëpër farmaci.
Ky bllokim zinxhir përveç pasojave dramatike sociale do të godiste menjëherë edhe motorin e prodhimit. Pa kanale bankare funksionale, bizneset e kanë të pamundur të transferojnë pagat e punonjësve, duke lënë mijëra familje pa të ardhura brenda natës.
Kompanitë nuk importojnë dot lëndë të parë, fabrikat mbyllen dhe investimet apo kreditë thjesht ngrijnë.
Dhuna mbi bankat nuk është akt hakmarrje mbi korrupsionin apo keqqeverisjen, sado që shumë mund ta mendojnë gabimisht ashtu. Ajo është një sulm mbi vetë ekzistencën e ekonomisë. Dhe në këtë rast, ata që do të paguajnë çmimin e madh janë pikërisht qytetarët e zakonshëm dhe shtresat e varfra.
Ndërsa ata kundër të cilëve protestohet, të korruptuarit, nuk kanë asnjë pasojë sepse i kanë dëngjet plot me cash.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.