Tabaku: Paratë e pista kanë helmuar ekonominë shqiptare, po shkatërrojnë shtresën e mesme, bujqësinë dhe fasonerinë
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka publikuar një video në rrjetet sociale ku analizon ndikimin që ekonomia informale dhe pastrimi i parave kanë pasur mbi ekonominë shqiptare.
Duke iu referuar goditjes së fundit të SPAK ndaj një skeme të dyshuar të pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit, Tabaku argumenton se ekonomia shqiptare është deformuar nga hyrja e parave të krimit të organizuar, duke krijuar pasoja të rënda për sektorët produktivë dhe për qytetarët e zakonshëm.
Sipas saj, tre janë pasojat kryesore të këtij modeli ekonomik: ‘rritja e papërballueshme e çmimeve të banesave, kriza në bujqësi dhe goditja ndaj industrisë fason.’
Tabaku thekson se sektori i ndërtimit në Tiranë është kthyer në një treg të paarritshëm për shtresën e mesme dhe të rinjtë, ndërsa çmimet e apartamenteve nuk kanë më asnjë lidhje me nivelin e të ardhurave në vend. Ajo argumenton se fluksi i parave informale ka deformuar tregun, duke e bërë strehimin një luks për shumicën e qytetarëve.
Deputetja demokrate ndalet gjithashtu tek bujqësia, duke e konsideruar atë një nga viktimat kryesore të zhvlerësimit të euros dhe mungesës së politikave mbështetëse. Sipas saj, sektori ka humbur konkurrueshmërinë në tregjet rajonale dhe europiane, duke dëmtuar qindra mijëra fermerë dhe duke i kushtuar ekonomisë shqiptare miliarda lekë në prodhim të humbur.
Një tjetër sektor i goditur, sipas Tabakut, është industria fason, e cila për vite me radhë ka qenë një nga eksportuesit më të mëdhenj dhe punëdhënësit kryesorë në vend. Ajo argumenton se zhvlerësimi i euros dhe deformimet e ekonomisë kanë sjellë mbylljen e dhjetëra bizneseve dhe humbjen e vendeve të punës.
Në përfundim, Tabaku lidh problemet ekonomike me protestat qytetare të javëve të fundit, duke argumentuar se pakënaqësia e qytetarëve buron nga një sistem që favorizon një pakicë të lidhur me pushtetin në kurriz të shumicës së shqiptarëve.
“Ky është sistemi që duhet të ndryshojmë. Është sistemi i pakicës që ka hequr garën nga ekonomia, ka dëmtuar prodhimin dhe ka marrë frymën e ekonomisë shqiptare për më shumë se një dekadë”, shprehet Tabaku në mesazhin e saj.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.