Taksa e pronës “mbush” arkat e bashkive, 47 milionë euro në vetëm 5 muaj
Taksa e pasurisë është ndër furnizuesit kryesor të buxhetit të bashkive në Shqipëri, pavarësisht problematikave në mbledhjen e saj dhe aplikimit në bazë të çmimeve të referencës, përveç Tiranës, ku mblidhet sipas vlerës së tregut që kanë ndërtesat.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, tregojnë se në 5 muajt e parë të këtij viti, 61 bashkitë në vend kanë arkëtuar afro 4.7 miliardë lekë apo 47 milionë euro, me një rritje progresive nga viti në vit, duke bërë që të arrihet shifra më e lartë e dekadës së fundit për këtë periudhë. Në raport me vitin 2015, të ardhurat nga kjo taksë janë dyfishuar.
Krahasuar me periudhën janar-maj 2024, taksa mbi ndërtesat që ka furnizuar njësitë e vetëqeverisjes vendore, rezulton të jetë me rritje me rreth 1.4 miliardë lekë apo afro 14 milionë euro.
Nevoja për më shumë të ardhura dhe domosdoshmëria për të shlyer stokun e detyrimeve të prapambetura, i ka bërë që bashkitë t’i japin më shumë vëmendje vjeljes së taksës mbi ndërtesat ndonëse ende nuk ka nisur aplikimi i saj sipas vlerës së tregut.
Ndikim në këtë perfomancë ka pasur rritja e sipërfaqeve ndërtimore, zhvillimi që ka marrë ky sektor kryesisht në zonat bregdetare si dhe rritja e numrit të transaksioneve. Peshën më të madhe në mbledhjen e kësaj takse e ka Bashkia Tiranë, ndjekur nga bashkitë në zonat bregdetare si Vlora dhe njësitë e tjera të mëdha si Elbasani.
Nga ana tjetër së fundi është hedhur për konsultim edhe projektligji “Për taksën mbi pasuritë e paluajtshme sipas të cili të gjitha pasuritë e paluajtshme në Shqipëri do të taksohen me vlerë tregu, qofshin ato njësi banimi, ambiente komerciale, apo toka.
Referuar projektligjit të ri të Ministrisë së Financave, njësitë e ndërtesave që përfshihen në kategorinë ‘ndërtesa për banim’ do të taksohen 0.1% – 0.2%; ndërtesat për veprimtari ekonomike 0.15 % -0.25%; Parcelat që përfshihen në kategorinë ‘tokë bujqësore-blegtorale dhe tokë pyjore 0.05 %- 0.15 %; Parcelat që përfshihen në kategorinë ‘tokë truall’ dhe ‘tokë me përdorime të tjera’ 0,075% – 0,175%. Ndërsa për banesën e parë parashikohet zbritje deri në 50 % të vlerës së taksueshme, si dhe do të përjashtohen nga detyrimi për pagesën e saj një sërë kategorish, duke nisur nga grupet vulnerabël deri tek resortet me 4-5 yje që mbajnë emra të markave ndërkombëtare.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.