☁️
Tiranë 13°C · Vranët 01 Nëntor 2026
S&P 500 7,580 ▼1.82%
DOW 51,770 ▼1.09%
NASDAQ 25,437 ▼2.86%
NAFTA 104.12 ▲2.08%
ARI 3,899 ▼3.29%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1166 EUR/GBP 0.8340 EUR/CHF 0.9206 EUR/ALL 90.8109 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5346 EUR/TRY 55.7511 EUR/JPY 175.86 EUR/CAD 1.5583 EUR/USD 1.1166 EUR/GBP 0.8340 EUR/CHF 0.9206 EUR/ALL 90.8109 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5346 EUR/TRY 55.7511 EUR/JPY 175.86 EUR/CAD 1.5583
₿ CRYPTO
BTC $77,860 ▲ +0.59% ETH $2,266 ▲ +0.94% XRP $1.2515 ▲ +0.24% SOL $95.4000 ▼ -0.57%
S&P 500 7,580 ▼1.82 % DOW 51,770 ▼1.09 % NASDAQ 25,437 ▼2.86 % NAFTA 104.12 ▲2.08 % ARI 3,899 ▼3.29 % S&P 500 7,580 ▼1.82 % DOW 51,770 ▼1.09 % NASDAQ 25,437 ▼2.86 % NAFTA 104.12 ▲2.08 % ARI 3,899 ▼3.29 %
EUR/USD 1.1166 EUR/GBP 0.8340 EUR/CHF 0.9206 EUR/ALL 90.8109 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5346 EUR/TRY 55.7511 EUR/JPY 175.86 EUR/CAD 1.5583 EUR/USD 1.1166 EUR/GBP 0.8340 EUR/CHF 0.9206 EUR/ALL 90.8109 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5346 EUR/TRY 55.7511 EUR/JPY 175.86 EUR/CAD 1.5583
01 Nën 2026
Breaking
Opinion

Afrimi me Izraelin, pragmatizëm diplomatik apo politikë personale e Ramës?

hucfmyixkaaevc3
Edi Rama dhe Gideon Sa’ar në Tiranë

Nga: Blerina Gjoka

Vizita e ministrit të Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, në Tiranë më 12 tetor shënoi një tjetër hap në intensifikimin e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Izraelit, të cilat kanë marrë një hov të ri gjatë muajve të fundit, të shoqëruara me kontakte të nivelit të lartë politik dhe premtime për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik.

Gjatë takimit me homologun shqiptar, Ferit Hoxha, dy ministrat nënshkruan një Marrëveshje për Bashkëpunimin e Përgjithshëm, e cila, sipas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, krijon një kuadër të ri për zhvillimin e partneriteteve konkrete në fusha me interes të ndërsjellë, përfshirë ekonominë, teknologjinë, bujqësinë, energjinë, shëndetësinë dhe sigurinë.

Sa’ar vlerësoi miqësinë historike mes dy vendeve, duke rikujtuar mbrojtjen që shqiptarët u ofruan hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai rezervoi gjithashtu vlerësime të veçanta për kryeministrin Edi Rama, të cilin e cilësoi si një prej udhëheqësve më të spikatur në arenën ndërkombëtare.

“Në këndvështrimin tim, është një nga udhëheqësit më të jashtëzakonshëm në botën e sotme”, deklaroi ai.

Vizita e kryediplomatit izraelit, në një kohë kur qeveria e Ramës po përballet me një valë protestash qytetare dhe studentore, pason një intensifikim të kontakteve mes Tiranës dhe qeverisë së Benjamin Netanyahut.

Për kryeministrin izraelit, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi më 21 nëntor 2024 një urdhërarrest nën dyshimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë ofensivës ushtarake në Rripin e Gazës. Akuzat përfshijnë përdorimin e urisë si metodë lufte, vrasjen, përndjekjen dhe akte të tjera çnjerëzore. Netanyahu i ka hedhur poshtë akuzat.

Në janar të këtij viti, Rama zhvilloi një vizitë zyrtare në Izrael, ku u takua me Netanyahun dhe mbajti një fjalim në Knesset, parlamentin izraelit, duke marrë një pritje të veçantë nga autoritetet e vendit.

Afrimi diplomatik po konsolidohet në një periudhë kur Izraeli përballet me kritika të forta ndërkombëtare për luftën në Gaza, ndërsa një numër vendesh evropiane kanë ashpërsuar qëndrimet ndaj politikave të qeverisë së Netanyahut.

Në këtë kontekst, zgjerimi i bashkëpunimit shqiptaro-izraelit ngre pikëpyetje mbi përfitimet konkrete për Shqipërinë, kostot e mundshme diplomatike dhe kufirin mes interesit shtetëror dhe rolit personal të kryeministrit në orientimin e politikës së jashtme.

Ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare të intervistuar nga BIRN e konsiderojnë forcimin e marrëdhënieve me Izraelin si një zhvillim potencialisht pozitiv, të mbështetur edhe në lidhjet historike mes dy vendeve. Megjithatë, ata kanë vlerësime të ndryshme për motivet e këtij afrimi dhe përfitimet që mund të sjellë.

Ish-diplomati Arben Çejku e sheh forcimin e marrëdhënieve si një investim strategjik që u shërben interesave afatgjata të të dy vendeve.

“Nga çdo këndvështrim, ky afrim do të sjellë vetëm përfitime për Shqipërinë dhe Izraelin, dy vende mike që e bazojnë marrëdhënien e tyre mbi parime të përbashkëta të lirisë, demokracisë, sigurisë dhe prosperitetit”, i tha Çejku BIRN-it.

Sipas tij, ndonëse drejtuesit politikë mund të përfitojnë kreditë personale nga forcimi i marrëdhënieve diplomatike, një angazhim i tillë mund të krijojë edhe një trashëgimi pozitive institucionale.

“Sigurisht që roli i individëve të caktuar është i qartë dhe në këndvështrimin politik të momentit edhe mund të përfitojnë kredite, por në tërësi, në planin afatgjatë, ky investim individual në marrëdhëniet e mira mes dy vendeve forcon traditën e këtyre marrëdhënieve dhe siguron vijueshmërinë e tyre në të ardhmen”, tha ai.

Megjithatë, Çejku paralajmëron se politika e jashtme duhet të udhëhiqet nga interesi kombëtar dhe jo nga marrëdhëniet personale apo përfitimet politike të drejtuesve.

“Diplomacia jonë nuk duhet të jetë klienteliste, por të bazohet në traditat më të mira të marrëdhënieve tona diplomatike me vendet e tjera, duke prevaluar interesin kombëtar si interesin bazë të çdo shkëmbimi e bashkëpunimi”, theksoi ai.

Studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledion Krisafi, e interpreton afrimin e Tiranës me Izraelin kryesisht si një lëvizje pragmatike, përmes së cilës Rama synon të shfrytëzojë një moment të vështirë diplomatik për qeverinë izraelite për të tërhequr investime.

“Në këtë moment Izraeli, të paktën publikisht, nuk ka shumë miq në arenën ndërkombëtare dhe është një moment që Rama po përpiqet ta shfrytëzojë duke ofruar miqësi në këmbim të investimeve izraelite”, tha Krisafi.

Sipas tij, një rritje e investimeve izraelite do të ishte në interes të Shqipërisë, veçanërisht në sektorë ku Izraeli ka kapacitete të zhvilluara, si teknologjia, bujqësia, shëndetësia dhe industria e mbrojtjes.

Megjithatë, Krisafi kritikon mungesën e transparencës së qeverisë shqiptare lidhur me përmbajtjen dhe rezultatet konkrete të këtij bashkëpunimi, veçanërisht sa u përket investimeve, vendeve të punës dhe përfitimeve ekonomike.

“Sepse kjo situatë i jep shkas gjithfarë teorive konspirative dhe deri tani mendoj që qeveria shqiptare ka bërë pak për të shpjeguar këtë aspekt të marrëdhënieve me Izraelin”, tha ai.

Më kritik ndaj motiveve të këtij afrimi shprehet Altin Gjeta, studiues i shkencave politike pranë Universitetit të Birminghamit, i cili ngre pikëpyetje nëse intensifikimi i marrëdhënieve është pjesë e një strategjie të mirëfilltë shtetërore apo një nismë e lidhur kryesisht me ambiciet politike të kryeministrit.

“Shqetësimi mbetet nëse kjo marrëdhënie e re është rezultat i një politike personale të kryeministrit apo një ndërmarrje strategjike”, i tha ai BIRN-it.

Gjeta vlerëson se forcimi i marrëdhënieve me Izraelin mund t’i shërbejë interesave të Shqipërisë, por argumenton se deri tani nuk janë bërë të dukshme përfitime konkrete që ta justifikojnë intensitetin e angazhimit politik.

Sipas tij, ky afrim i shërben gjithashtu përpjekjes së Ramës për të ruajtur profilin e tij ndërkombëtar dhe për të rritur peshën politike përtej kufijve të Shqipërisë.

“Në mungesë të shkëlqimit të dikurshëm në Perëndim, duket se kryeministri Rama kërkon vëmendje në Lindjen e Mesme përtej fuqisë sonë si shtet”, tha Gjeta.

“Si gjithnjë, ai projekton fuqi për relevancë politike, por në thelb, kjo nuk i ka sjellë ndonjë përfitim të prekshëm Shqipërisë”, shtoi ai.

Pavarësisht këtyre rezervave, ekspertët nuk parashikojnë pasoja të drejtpërdrejta dhe të rëndësishme për marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian apo me aleatë të tjerë, përfshirë Turqinë, e cila mban një qëndrim kritik ndaj qeverisë izraelite për luftën në Gaza.

Afrimi me Izraelin mund të krijojë pakënaqësi në disa vende arabe, por sipas tyre, kjo nuk pritet të përkthehet domosdoshmërisht në kosto të konsiderueshme diplomatike, duke pasur parasysh se edhe një pjesë e këtyre vendeve ruajnë marrëdhënie dhe forma bashkëpunimi me Izraelin.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.