Tedi Papavrami në premierën botërore të “The Bow and the Brush” në TIFF 2026
TIRANË, 7 shtator, ATSH/ Dokumentari francez “The Bow and the Brush” (“L’Archet et le Pinceau”), me regji të Raphaëlle Régnier, do të ketë premierë botërore në edicionin e 24-të të Tirana International Film Festival.
Filmi sjell në qendër një ndërthurje të veçantë mes muzikës perëndimore dhe artit Zen japonez, përmes violinistit shqiptar Tedi Papavrami dhe mjeshtrit japonez të kaligrafisë Kanshô Miyashita. Në një prej momenteve speciale të dokumentarit, Miyashita krijon kaligrafi japoneze ndërsa Papavrami interpreton “Chaconne” të Johann Sebastian Bach.
Vetë titulli, “Archet et Pinceau” – “Harku dhe Peneli” – i referohet dialogut artistik mes lëvizjes së harkut të violinës dhe lëvizjes së penelit të kaligrafit.
Përfshirja e filmit në programin “Special Screenings” dhe zgjedhja e TIFF për ta prezantuar në premierë botërore i japin një vëmendje të veçantë këtij projekti, në një edicion që sjell në Tiranë 229 filma nga 71 vende, të gjithë në formate premierash botërore, ndërkombëtare, rajonale ose kombëtare.
TIFF 2026 zhvillohet më 21–27 shtator në Tiranë, nën temën “Bring It Back… Humanography”, duke vënë në qendër historitë, emocionet dhe përvojat njerëzore përmes gjuhës së kinemasë.
Interesante është mënyra e realizimit të dokumentarit. Kamera ndjek nga afër procesin krijues dhe punën mes dy artistëve, duke e kthyer përgatitjen dhe interpretimin në pjesë të vetë rrëfimit filmik. Dokumentari vëzhgon kështu jo vetëm rezultatin final, por edhe çastet e krijimit, duke sjellë një përvojë intime mes tingullit, lëvizjes dhe imazhit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.