“Temperatura të larta dhe rrebeshe shiu”, meteorologia tregon si do të jetë moti këtë javë
E ftuar në një lidhje direkte me gazetaren Esmeralda Mulaj, meteorologia e Metoalb, Lajda Porja, ka bërë parashikimin e motit për ditët në vijim, duke paralajmëruar temperatura të larta gjatë pjesës së parë të javës dhe reshje shiu në fundjavë.
Porja tha se edhe pse temperaturat do të shënojnë një rënie të lehtë në orët e para të mëngjesit, vendi do të vijojë të jetë nën ndikimin e një atmosfere verore. Sot temperaturat pritet të arrijnë deri në 35°C në qarkun e Beratit, ndërsa në pjesën më të madhe të ultësirës perëndimore do të luhaten në 33-34°C.
Sipas meteorologes, ditët më të nxehta do të jenë e mërkura dhe e enjtja, kur temperaturat në Berat dhe Elbasan pritet të arrijnë deri në 36°C. Në qytetet e zonës së ulët temperaturat do të shkojnë në 34-35°C, ndërsa përgjatë bregdetit do të regjistrohen 32-33°C.
Ndryshimi i motit pritet të nisë gjatë fundjavës, kur temperaturat do të bien me 3-4 gradë. Porja paralajmëroi gjithashtu rrebeshe shiu, kryesisht në zonat lindore dhe juglindore.
“E mërkura, e enjtja dhe e premtja do të kenë rrebeshe shiu në të gjithë zonën lindore dhe do jetë kryesisht juglindja, të jetë qarku i Korçës ku do të ketë rrebeshe. Dhe Gjirokastra gjithashtu ku do të jenë më të dukshme, por presim që edhe zonat e verilindjes, Pogradeci, po ashtu dhe Peshkopia, Kukësi, Bulqiza do të kenë rrebeshe të izoluara gjatë pasditeve”, tha Porja.
Pjesa tjetër e territorit pritet të ketë mot kryesisht të qëndrueshëm, me diell gjatë paradites dhe vranësira gjatë pasdites, pa reshje të konsiderueshme.
Për fundjavën, meteorologia parashikoi rrebeshe afatshkurtra shiu pothuajse në të gjithë territorin, të shoqëruara me forcim të erës dhe dallgëzim të lartë në det. Reshjet do të shfaqen fillimisht në veri dhe veriperëndim, për t’u zhvendosur më pas drejt zonave jugore dhe juglindore.
Porja theksoi se freskimi i fundjavës nuk do të shënojë ardhjen përfundimtare të vjeshtës, pasi temperaturat e larta pritet të rikthehen.
“Është një situatë kalimtare sepse edhe pse fillimi i javës mbetet në këto ujëra, ne presim sërish temperaturat të cilat do të jenë 32-33° pothuajse gjithë shtatorit. Është parashikuar që muaji shtator do të regjistrojë temperatura më të larta. Pra nuk është se futemi zyrtarisht që këtë fundjavë në vjeshtë dhe më pas na presin ditë të freskëta, por do kemi sërish temperatura të cilat të paktën deri në fund të muajit do të jenë mbi 32 gradë”, u shpreh meteorologia.
Sa i përket situatës në rajon, Kosova dhe Maqedonia e Veriut do të vijojnë me temperatura të larta deri të premten. Në Kosovë temperaturat pritet të arrijnë në 33-35°C, ndërsa në Maqedoninë e Veriut gjithashtu do të jenë të larta.
Nga e enjtja dhe e premtja priten rrebeshe shiu, ndërsa gjatë fundjavës reshjet do të përfshijnë pjesën më të madhe të territorit të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, kryesisht gjatë pasditeve.
Meteorologia paralajmëroi se në zona të izoluara të Ballkanit nuk përjashtohen episode me erë të fortë, mini-stuhi dhe breshër. Më pas, sipas saj, pritet një përmirësim gradual i motit gjatë javës së ardhshme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.