TikTok-u gjobitet me 12,7 milionë paund për shkelje të rregullave të sigurisë së fëmijëve
LONDËR, 24 shtator /ATSH-DPA/- Rrjeti social TikTok do të paguajë një gjobë prej 12,7 milionë paundësh në Britani të Madhe, për shkelje të rregullave të sigurisë së fëmijëve.
Gjoba u vendos në vitin 2023 nga Zyra e Komisionerit për Informacionin (ICO), autoriteti britanik që mbikëqyr mbrojtjen e të dhënave personale.
Sipas ICO-së, TikTok-u nuk kishte bërë mjaftueshëm për të parandaluar përdorimin e platformës nga fëmijë nën moshën 13 vjeç dhe për të garantuar përdorimin e duhur të të dhënave të tyre.
Autoriteti vlerësoi se në vitin 2020 deri në 1,75 milionë fëmijë nën 13 vjeç në Britani të Madhe, mund të kishin përdorur TikTok-un, edhe pse rregullat e platformës nuk lejonin krijimin e llogarive nga kjo grupmoshë.
TikTok-u e kishte kundërshtuar fillimisht gjobën, por tani e ka tërhequr ankesën, ndaj duhet ta paguajë.
TikTok-u gjithashtu, ka hequr dorë nga ankesa për mënyrën se si përdor të dhënat personale të të rinjve 13–17 vjeç për t’u sugjeruar video në platformë.
TikTok-u tha se nuk është dakord me vendimin, por theksoi se ai lidhet me periudhën 2018–2020 dhe se që atëherë ka marrë masa të reja për sigurinë e fëmijëve. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.