Torturë, trajtim çnjerëzor, frikësim e dëbim të popullsisë, aktakuzë për krime lufte në Komunën e Kaçanikut
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj A.D., për veprat penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, më 9 mars 1999, në fshatin Ivajë dhe fshatrat përreth të Komunës së Kaçanikut, i pandehuri A.D., në cilësinë e zyrtarit policor në Stacionin Policor në Kaçanik, dyshohet se, në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar, pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka kryer veprime që përfshijnë torturë, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë dhe dëbim të popullsisë civile shqiptare.
Forcat në fjalë fillimisht e kanë rrethuar fshatin Ivajë dhe më pas i kanë detyruar banorët të largoheshin nga shtëpitë e tyre, të cilat më pas dyshohet se janë djegur dhe shkatërruar.
Sipas aktakuzës, burrat ishin ndarë nga gratë, ku ishin dërguar në Stacionin Policor në Kaçanik, më pas 78 prej tyre janë liruar, ndërsa 13 janë ndaluar për t’u marrë në pyetje dhe dyshohet se janë rrahur dhe torturuar nga i pandehuri A.D. dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar.
Lënda është dorëzuar për shqyrtim në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ndërsa i pandehuri ndodhet në paraburgim. /Tekegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.