Tragjedia në Vaun e Dejës, Urgjenca sqaron vonesën e ambulancës: Ishte me defekt, dy mjete u nisën nga Shkodra dhe…
Pas protestës së banorëve të Vaut të Dejës, të cilët ngritën akuza për vonesën e ambulancës në ngjarjen ku humbën jetën David Deda dhe Sokol Preka, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka dhënë sot versionin e saj.
Në sqarimin e saj, QKUM thotë se autoambulanca e zonës kishte pësuar defekt teknik, ndaj për të dy rastet u dërguan ambulanca nga Spitali Rajonal i Shkodrës. Sipas institucionit, telefonata e parë në urgjencë është regjistruar në orën 18:03 dhe ambulanca ka mbërritur në orën 19:44, ndërsa për rastin e dytë kërkesa për ndihmë është bërë në orën 18:53 dhe ambulanca e dytë ka mbërritur në orën 19:54.
QKUM sqaron se viktimat janë dy raste të ndryshme dhe se në rastin e parë një infermiere e zonës kishte nisur menjëherë reanimimin, ndërsa në rastin e dytë elektricisti rezultonte pa shenja jete në momentin e vlerësimit fillestar.

Reagimi i Urgjencës Kombëtare:
“Në lidhje me ngjarjen tragjike të datës 29 gusht 2026 në Vaun e Dejës, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QKUM), në funksion të transparencës dhe informimit të saktë të publikut, sqaron dinamikën e ndërhyrjes së shërbimit të urgjencës mjekësore. Në këtë ngjarje janë regjistruar dy raste të veçanta, të dyja si pasojë e goditjes nga rryma elektrike, të ndodhura në momente të ndryshme. Rasti i parë është raportuar si urgjencë për goditje elektrike. Në vendngjarje ndodhej një infermiere e zonës, e cila kishte nisur menjëherë manovrat e reanimimit kardiopulmonar, pa mundur të rikthente qarkullimin spontan.
Sipas të dhënave të regjistruara në sistemin e urgjencës, thirrja është marrë në orën 18:03. Në atë moment, ambulanca e Vaut të Dejës ndodhej jashtë funksionit për shkak të një defekti teknik. Për këtë arsye, drejt vendngjarjes është nisur ambulanca nga Spitali i Shkodrës, e cila ka mbërritur në orën 19:44.
Manovrat e reanimimit janë vijuar edhe gjatë transportit drejt Spitalit të Shkodrës. Pavarësisht përpjekjeve të personelit shëndetësor, nuk u arrit rikthimi i qarkullimit spontan dhe pacienti humbi jetën.
Rasti i dytë i përkiste elektricistit, i cili, disa minuta më vonë, kishte shkuar në vendngjarje për të ndërhyrë në problemin elektrik. Gjatë ndërhyrjes, edhe ai u godit nga rryma elektrike dhe humbi jetën.
Për këtë rast, kërkesa për ndihmë mjekësore është regjistruar në orën 18:53. Në vlerësimin fillestar, personi rezultonte pa shenja jete. Në këtë moment, ambulanca e dytë nga Shkodra është nisur drejt vendngjarjes dhe ka mbërritur në orën 19:54. Rasti është konstatuar dhe referuar si Kod i Zi në vendngjarje.

Goditja elektrike përbën një urgjencë mjekësore me rrezik shumë të lartë për jetën dhe, në rastet e rënda, mund të shkaktojë arrest kardiak dhe vdekje të menjëhershme.
Mbi çdo sqarim institucional, kjo mbetet para së gjithash një ngjarje tragjike, e cila solli humbjen e dy jetëve njerëzore.
Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore shpreh keqardhjen e thellë për këtë humbje dhe u përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjeve dhe të afërmve të dy viktimave. Në këto momente të vështira, QKUM bashkohet me dhimbjen e familjeve për humbjen e njerëzve të tyre të dashur” shkruhet në njoftimin për shtyp të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.