“Travelbinger” rendit Shqipërinë mes destinacioneve më të favorshme për udhëtime pa vizë në 2026-ën
– Ndërsa rregullat e udhëtimit po bëhen gjithnjë e më të ndërlikuara në shumë vende të botës, disa shtete vijojnë të ofrojnë mundësi të favorshme për vizitorët që duan të hyjnë pa vizë, shkruan Marcel Kuhn në një artikull të botuar në median amerikane “Travelbinger”.
Një prej tyre është Shqipëria, e cila renditet ndër destinacionet me politikat më bujare të hyrjes, veçanërisht për shtetasit amerikanë, të cilëve u lejohet qëndrimi deri në 365 ditë pa vizë.
Udhëtimet janë bërë disi më të komplikuara kohët e fundit. Sistemi i ri i Hyrje/Daljeve i Evropës (Entry/Exit System – EES) po regjistron gjurmët e gishtërinjve në kufij, ETIAS (Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit për Udhëtimet)
vazhdon të shtyjë datën e nisjes së zbatimit, ndërsa Brazili ka rikthyer në heshtje, kërkesën për viza për shtetasit amerikanë, duke ndryshuar një politikë gati një dekadë të udhëtimit pa viza.
Kjo është arsyeja pse kontrolli i kushteve të hyrjes në një shtet, përpara rezervimit të një fluturimi nuk është më thjesht një masë paraprake.
Ai është bërë i domosdoshëm, edhe për destinacione ku më parë udhëtimi dukej shumë i thjeshtë.
Megjithatë, shumë shtete kanë ndjekur drejtimin e kundërt, duke i mbajtur kufijtë e tyre të hapur ose duke i bërë kushtet e hyrjes edhe më lehtësuese se më parë.
Disa prej këtyre vendeve ju lejojnë të qëndroni për një vit të plotë, pa pasur nevojë të plotësoni qoftë edhe një formular.
Ja ku vazhdon të ekzistojë kjo liri udhëtimi gjatë pjesës së mbetur të vitit 2026:
Shqipëria: Vendi me politikat më bujare të hyrjes në Evropë
Shqipëria nuk është ende një destinacion i famshëm turistik ndërkombëtar sa Italia apo Greqia, por ofron një mundësi që asnjëra prej këtyre dy vendeve nuk mund ta ofrojë në të njëjtën masë.
Shqipëria është shndërruar në heshtje në një nga vendet me politikat më bujare të hyrjes për shtetasit amerikanë.
Shqipëria u lejon shtetasve amerikanë të qëndrojnë deri në 365 ditë, pra për një vit të plotë, pa vizë.
Kjo përbën një ndryshim të dukshëm krahasuar me afatin standard prej 90 ditësh, që zbatohet për shumicën e vizitorëve, në vende të tjera të Evropës.
As shtetasit e vendeve të tjera nuk përjashtohen nga kjo mundësi, megjithëse kushtet janë më pak të favorshme.
Shtetasit e vendeve të Bashkimit Evropian, Britanisë së Madhe, Kanadasë dhe shumicës së vendeve të Amerikës Latine mund të hyjnë gjithashtu pa vizë, ndërsa kohëzgjatja e qëndrimit të lejuar zakonisht është rreth 90 ditë, për qëllime turizmi, biznesi ose tranziti.
Bregdeti shqiptar, dikur një zonë e panjohur e Ballkanit, ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare, me një numër në rritje të vizitorëve që qëndrojnë për periudha të gjata dhe përfitojnë pikërisht nga ky fleksibilitet i kushteve të hyrjes.
“Travelbinger” ka renditur nëntë shtetet që mund të vizitohen pa vizë në vitin 2026:
1. Gjeorgjia 2. Shqipëria 3. Serbia 4. Japonia 5. Tajlanda 6. Meksika 7. Kosta Rika 8. Maroku 9. Palau /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.