Trump: Është koha që Ukraina të ketë një president të ri
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se Ukraina duhet të ketë një president të ri, duke kritikuar homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, pas kundërshtimeve të këtij të fundit ndaj marrëveshjes amerikano-ruse për eksportin e karburantit dizel.
Zelensky paralajmëroi se marrëveshja për të lejuar eksportin e miliona tonëve naftë dizel ruse në tregun amerikan dhe atë ndërkombëtar do t’i siguronte Moskës të ardhura shtesë për të financuar luftën kundër Ukrainës. Ai e cilësoi marrëveshjen si një dhuratë për presidentin rus, Vladimir Putin.
Duke folur për mediat jashtë Shtëpisë së Bardhë të shtunën, Trump akuzoi Zelenskyn se po krijon probleme për botën duke autorizuar sulme ndaj rafinerive ruse të naftës.
“Ai duhet patjetër të ndalojë”, deklaroi Trump, duke sugjeruar që Ukraina të zgjedhë një udhëheqës të ri, i cili do të ishte në gjendje të arrinte një marrëveshje për përfundimin e luftës.
Presidenti amerikan argumentoi se sulmet ukrainase ndaj infrastrukturës energjetike ruse po ndikojnë në tregjet ndërkombëtare të karburanteve, në një kohë kur çmimet e naftës dizel në SHBA janë rritur ndjeshëm.
Marrëveshja me Moskën parashikon fillimisht furnizimin e tregjeve amerikane dhe ndërkombëtare me 300 mijë tonë naftë dizel, të ndjekur nga dërgesa të tjera, sipas njoftimit të Trump. Sipas tij, synimi është të lehtësohen presionet mbi çmimet e karburanteve.
Megjithatë, vendimi për lehtësimin e kufizimeve ndaj eksporteve ruse ka shkaktuar reagime të forta nga Ukraina dhe disa aleatë evropianë, të cilët paralajmërojnë se të ardhurat shtesë do t’i mundësojnë Moskës të vazhdojë financimin e luftës.
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, kritikoi vendimin, duke theksuar se lehtësimi i sanksioneve do t’i sigurojë Rusisë më shumë të ardhura për të vijuar agresionin kundër Ukrainës.
“Ky nuk është momenti për të lehtësuar presionin ndaj Rusisë dhe Evropa nuk do ta bëjë këtë”, deklaroi Kallas, duke njoftuar se ministrat e Jashtëm të BE-së synojnë të miratojnë një paketë të re sanksionesh ndaj Moskës.
Ndërkohë, Zelensky akuzoi Rusinë se po e përdor marrëveshjen për të justifikuar vazhdimin e luftimeve dhe sulmeve ndaj qyteteve ukrainase, pas goditjeve të fundit në rajonin e Zaporizhzhias.
Që nga nisja e pushtimit rus në shkurt të vitit 2022, Ukraina ndodhet nën gjendjen e ligjit ushtarak, çka ka çuar në pezullimin e zgjedhjeve. Trump ka kërkuar edhe më parë zhvillimin e zgjedhjeve të reja presidenciale në vend.
Përplasja e fundit mes Uashingtonit dhe Kievit vjen në një moment të vështirë për tregjet globale të energjisë, të cilat janë ndikuar nga lufta me Iranin dhe ndërprerjet e furnizimit përmes Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme për transportin botëror të naftës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.