Demo: Reforma territoriale, bashki më të forta dhe shërbime më të mira për qytetarët
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo e cilësoi reformë territoriale si mjet për bashki më të forta dhe shërbime më të mira dhe institucione më pranë qytetarëve.
Përmes një postimi në faqen e vet në Facebook Demo shprehet se “synimi ynë është një pushtet vendor me më shumë autonomi, por edhe me më shumë përgjegjësi për cilësinë e shërbimeve që u ofron qytetarëve”.
Postimi i plotë i Demos në Facebook
Reforma territoriale ka një qëllim të qartë: bashki më të forta, shërbime më të mira dhe institucione më pranë qytetarëve. Suksesi i saj do të matet jo vetëm me ndryshimet institucionale, por mbi të gjitha me rezultatet konkrete në jetën e përditshme të çdo komuniteti.
Reforma territoriale duhet të shoqërohet me një proces të qartë decentralizimi, për të ndërtuar bashki më të forta, më funksionale dhe më pranë qytetarëve.
Përpara nesh është një punë e rëndësishme që duhet të nisë me një analizë të detajuar të funksioneve dhe përgjegjësive të bashkive: çfarë funksionon, çfarë duhet përmirësuar, cilat kompetenca duhen forcuar dhe cilat shërbime mund të ofrohen më mirë në nivel vendor.
Decentralizimi nuk është thjesht transferim kompetencash. Ai duhet të shoqërohet me burime financiare, kapacitete administrative dhe mekanizma të qartë llogaridhënieje.
Synimi ynë është një pushtet vendor me më shumë autonomi, por edhe me më shumë përgjegjësi për cilësinë e shërbimeve që u ofron qytetarëve.
Suksesi i reformës nuk do të matet me numrin e bashkive apo me ndryshimet në hartë, por me atë që ndryshon realisht në jetën e qytetarëve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.