UASHINGTON – SHBA-ja kufizon eksportin e çipave të IA-së, synon të pengojë Kinën
UASHINGTON, 17 nëntor /ATSH-DPA/ – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur kufizime të reja për eksportin e çipave të avancuar të inteligjencës artificiale (IA) drejt disa vendeve, përfshirë Singaporin dhe Malajzinë, me synimin për të penguar kalimin e kësaj teknologjie në duart e Kinës.
Sipas rregullave të reja të njoftuara dje nga Departamenti Amerikan i Tregtisë, eksporti i çipave me performancë të lartë drejt Malajzisë, Singaporit, Indonezisë, Tajlandës dhe Brazilit do të kërkojë miratimin paraprak të qeverisë amerikane.
Masat synojnë të parandalojnë kontrabandimin e çipave drejt Kinës, si dhe përdorimin e kapaciteteve kompjuterike në vende të tjera nga klientë kinezë.
Gjithashtu, operatorët e qendrave të të dhënave, që përdorin çipa amerikanë për inteligjencën artificiale, do të përballen me kërkesa më të rrepta për verifikimin e klientëve të tyre.
Uashingtoni ka ndaluar më parë eksportin e çipave më të fuqishëm të inteligjencës artificiale drejt Kinës, përfshirë produktet e kompanisë “Nvidia”, duke argumentuar se kjo teknologji mund të përmirësojë kapacitetet e Kinës në fushën e inteligjencës artificiale, përfshirë përdorimet ushtarake.
Megjithatë, kufizimet janë anashkaluar në disa raste. Çipa të blerë në emër të kompanive në vende të tjera, janë kontrabanduar më pas drejt Kinës.
Sipas një aktakuze amerikane, në një rast janë transferuar etiketat me numrat serialë nga serverë origjinalë të pajisur me çipa “Nvidia” në pajisje të tjera, për të fshehur dërgimin e mëtejshëm të pajisjeve të vërteta drejt Kinës. Ky proces dyshohet se është kryer edhe me ndihmën e tharëseve të flokëve.
Autoritetet amerikane kanë ngritur gjithashtu dyshime për kompaninë “Megaspeed”, me seli në Singapor dhe një prej klientëve të rëndësishëm të “Nvidia”-s, për devijimin e mundshëm të teknologjisë drejt Kinës.
Rregullat e reja, vijnë në një kohë mosmarrëveshjesh brenda administratës Trump lidhur me kufizimet e eksporteve teknologjike. Departamenti i Tregtisë bëri të ditur se urdhri ishte hartuar nga Departamenti i Thesarit dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare.
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent ka kritikuar së fundmi sekretarin e Tregtisë, Howard Lutnick, duke e akuzuar se po kundërshton vendosjen e kufizimeve më të ashpra.
Presidenti amerikan mbrojti dje Lutnick, duke deklaruar se ai kishte synuar të shmangte dëmtimin e marrëdhënieve me Kinën, ndërsa vetë Trump pritet të marrë pjesë në samit në këtë vend gjatë javës.
Ndërkohë, Departamenti i Tregtisë dhe Departamenti i Drejtësisë publikuan një deklaratë të përbashkët, ku konfirmuan se autoritetet amerikane i kishin kërkuar “Nvidia”-s dokumente në maj 2025, lidhur me shitjet te kompania “Megaspeed” dhe kishin shqyrtuar aktivitetin e kësaj të fundit.
Departamenti i Drejtësisë mori më pas, drejtimin e hetimit penal, ndërsa në deklaratë theksohet se çdo shkelje e mundshme e ligjit do të ndiqet nga të dy institucionet. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.