UASHINGTON – Trump: SHBA-ja dhe Irani do të vazhdojnë bisedimet, por armëpushimi ka marrë fund
– Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani kanë rënë dakord të vazhdojnë bisedimet, pavarësisht përshkallëzimit të fundit të konfliktit, por theksoi se armëpushimi i arritur muajin e kaluar “ka përfunduar”, sipas “Reuters”.
Deklarata e Trump vjen pas një jave tensionesh, gjatë së cilës disa anije tregtare në Ngushticën e Hormuzit u sulmuan, duke nxitur goditje amerikane ndaj objektivave iraniane dhe kundërpërgjigje të Iranit me sulme ndaj bazave ushtarake amerikane, në vendet e Gjirit.
Në një postim në rrjetin e tij “Truth Social”, Trump shkroi se Irani kishte kërkuar vazhdimin e bisedimeve dhe se Uashingtoni kishte pranuar, por i kishte bërë të qartë Teheranit se “armëpushimi kishte marrë fund”.
Nga ana tjetër, Irani e mohoi këtë version, duke deklaruar se nuk ka kërkuar bisedime me SHBA-në.
Sipas medias shtetërore iraniane, Teherani ka pranuar vetëm të presë një ndërmjetës nga Katari, për të diskutuar uljen e tensioneve dhe situatën në Ngushticën e Hormuzit.
Trump paralajmëroi gjithashtu se ka urdhëruar ushtrinë amerikane, të jetë gati të godasë Iranin, nëse Teherani ndërmerr ose tenton një atentat ndaj tij.
Ai deklaroi se mijëra raketa janë të gatshme për t’u lëshuar dhe se ushtria amerikane është e përgatitur të “shkatërrojë plotësisht” Iranin në rast të një sulmi të tillë.
Ndërkohë, administrata amerikane, po i kërkon Iranit të garantojë publikisht, se do të ndalojë sulmet ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit dhe se kjo rrugë detare do të mbetet e hapur për lundrim pa pengesa.
Hormuzi është një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë, pasi përmes tij kalon rreth një e pesta e furnizimit global me naftë.
Pavarësisht retorikës së ashpër, zyrtarët amerikanë thanë se kontaktet mes dy vendeve kanë qenë produktive ditët e fundit.
Nga ana e tij, Irani paralajmëroi se çdo shkelje e angazhimeve nga SHBA-ja do të marrë një përgjigje reciproke.
Përshkallëzimi i konfliktit në Gjirin Persik ka ndikuar edhe në tregjet ndërkombëtare, duke shkaktuar rritjen më të madhe javore të çmimit të naftës, në tetë javët e fundit./



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.