Vangjeli: Protesta është evolucion, jo revolucion. Mund të shuhet nëse lideri i opozitës del në shesh
Analisti politik Lorenc Vangjeli ka deklaruar në emisionin “Trialog” të Alba Alishanit në RTSH1 se në rrugët e Tiranës nuk po ndodh një revolucion, por një evolucion i pakënaqësisë që kërkon vendosjen e rregullave të demokracisë, të cilat një pjesë gjithmonë e më e madhe e shoqërisë shqiptare i konsideron të shkelura.
“Një muaj që ka protesta ia vlen të bëhet edhe një lloj bilanci dhe të kuptohet edhe tipologjia e saj. Kur diçka përsëritet shumë shpesh duket sikur merr statusin e së vërtetës. Në fakt në rrugët e Tiranës nuk ka një revolucion sikundër po flitet, por ka një evolucion. Evolucioni është për përmbysjen e sistemit ndërkohë që këtu bëhet fjalë për revizionimin e sistemit, për vendosjen e rregullave të demokracisë që një pjesë gjithmonë e më kritike e shoqërisë shqiptare i konsideron se janë të shkelura”, tha Vangjeli.
Ai shpjegon se lëvizje të tilla zakonisht fillojnë me “erozionin e pakënaqësisë” dhe sipas tij, ajo që po ndodh në bulevard reflekton pikërisht këtë gjendje.
“Të përfshirë në atë që po ndodh pasi jemi të prekur të gjithë prej saj, nëse kthjellohemi për një çast, ajo që po ndodh në Tiranë kalon nëpër shtratin e disa ligjësive që kanë lëvizje të tilla, të cilat fillojnë me erozionin e pakënaqësisë. Të dyja këto janë ajo çka mund të matet në pulsin e bulevardit. Legjitimiteti i moral i mazhorancës natyrisht është i cenuar pasi është përballë e këtij presioni”, thekson ai.
Një element paradoksal që Vangjeli nënvizon është pozicioni i opozitës zyrtare. Ai vëren se Shqipëria paraqet një rast të veçantë, ku masa kritike e qytetarëve kundër mazhorancës nuk përfaqësohet nga flamuri zyrtar i opozitës.
“Shqipëria është një rast i veçantë, që masa kritike e qytetarëve që janë kundër mazhorancës nuk janë të përfaqësuar nga flamuri zyrtar i opozitës. Dhe për paradoks, një nga arsyet që protesta mund të shuhej do të ishte prania e liderit të opozitës në shesh. Kjo shkon kundër logjikës, kjo do të jetë protesta unike që vendos në të njëjtën kryq në kodrën e Golgotës si kryeministrin ashtu edhe liderin e opozitës”, nënvizoi Vangjeli.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.