Vrasja e turistit portugez, akuza dhe disa versione! Çfarë ndodhi në gjyqin maratonë në Srandë?
Gjykata e Sarandës ka zhvilluar një seancë maratonë prej rreth 10 orësh për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Ksamil, ku humbi jetën turisti portugez Luis Mendes.
Sokrat Vata, i akuzuar për vrasjen me dashje, të kryer në bashkëpunim, të turistit portugez, ka shprehur pendesë para gjykatës, e cila vendosi masën e sigurisë “Arrest në burg” pas seancës së zhvilluar të premten, më 22 gusht.
29-vjeçari ka dhënë para togave të zeza versionin e tij për ngjarjen, duke pretenduar se nuk ka pasur qëllim të shkaktonte vdekjen e turistit.
“I kërkoj ndjesë të thellë familjes së Lusit dhe njëkohësisht autoriteteve të shtetit të viktimës. Nuk e kam ditur fare që personi ka ndërruar jetë. Nuk ka qenë pasojë e dëshiruar, ka qenë një sherr shumë i madh. Unë ndërhyra për të ruajtur qetësinë, sepse kishte edhe shumë klientë të tjerë. Në ato momente dëgjoj sharje dhe ofendime ndaj meje dhe Danielit. I kuptoja fjalët, sepse njoh disa gjuhë. Kemi pasur përplasje verbale dhe më pas 5-6 veta më kanë sulmuar. Nuk kam kuptuar çfarë po ndodhte. E kam parë veten në tokë dhe dikush nga këta të huajt më goditi shumë fort. Nuk kam pasur thikë. Ia kam parë në dorë Luisit dhe, për të neutralizuar situatën, kam arritur t’ia heq. Pasi mora thikën nga dora e tij, kanë ndodhur sërish përleshje. Nuk kam kuptuar çfarë kam bërë apo çfarë ka ndodhur. Kam qenë jokoshient. Më kanë goditur 5-6 veta dhe nuk kam kuptuar çfarë po ndodhte”, tha ai.
Dëshmitarët e pyetur në gjykatë thanë se Vata kishte shenja mavijosjeje, enjtje dhe gërvishtje të dyshuara si të shkaktuara me mjet prerës në trup.
Vetë 29-vjeçari pretendoi se kishte pësuar disa lëndime serioze, si pasojë e goditjeve me mjet prerës dhe grushteve.
Ndërkohë, shtetasit turq që e shoqëruan Vatën me automjet pas ngjarjes pretenduan se nuk kishin dijeni për atë që kishte ndodhur.
Dëshmia e Nuh Mahmutoglu, i mbrojtur në gjykatë nga avokatja Xhoi Nela, synoi të përjashtojë nga përgjegjësia drejtuesen e automjetit, në bagazhin e të cilit u gjet Vata.
Ai tha se shoferja nuk kishte dijeni se 29-vjeçari ndodhej në automjet, ndërsa tregoi edhe arsyen pse e morën për ta transportuar drejt Tiranës dhe si përfundoi në bagazh.
“Me Ezgi Parlak jam njohur para disa ditësh, ajo ka ardhur në Shqipëri më 16 gusht. Unë jam i regjistruar në Durrës si biznes fizik, me aktivitet në dhënien e makinave me qira. Jemi njohur online, pasi më shkroi në Instagram për një makinë. Më pas krijuam shoqëri këto ditë.
Sokrati shfaqet ditën e ngjarjes i gjakosur dhe më kërkoi ndihmë, me pretendimin se ishte rrëzuar me motor dhe ishte konfliktuar me disa njerëz. Përpara se të merrja Ezgin, Sokrati më tha se donte të flinte dhe më kërkoi të flinte në bagazh. Kështu ndodhi. Më pas marrim Ezgin dhe nisemi drejt Tiranës.
Drejtuesja e mjetit nuk e dinte që Sokrati ndodhej në bagazh, jo më të dinte se çfarë kishte ndodhur. Për vrasjen nuk dija gjë as unë. Me Sokratin njihemi, sepse e kam frekuentuar shpesh ‘Principote’. Ai punonte si host, ndërsa unë e frekuentoja për të pushuar”, dëshmoi.
Në seancën me dyer të mbyllura, shumica e kamarierëve dhe bodyguardëve, mes tyre edhe punonjës policie, pretenduan se nuk e kishin kuptuar se çfarë po ndodhte gjatë konfliktit dhe se kishin ndërhyrë për të ndarë personat e përfshirë.
Sipas dëshmive, edhe disa prej shtetasve të huaj ishin përfshirë në përleshje.
“Kur kemi dalë jashtë, kemi parë njerëz, ambulancën dhe policinë. Nuk kemi kuptuar çfarë kishte ndodhur. Disa shtetas të huaj i kemi parë që u jepnin ndihmën e shpejtë”, tha një prej anëtarëve të stafit para togave të zeza.
Punonjësit pretenduan gjithashtu se kishin njoftuar vetë policinë dhe ambulancën, duke paraqitur edhe prova që, sipas tyre, mbështesin dëshmitë e dhëna.
Gjatë seancës në gjykatë u shfaqën edhe disa pamje filmike të momentit të ngjarjes.
Pas rreth 10 orësh seancë, gjyqtari Shkëlzen Licaj vendosi masën e sigurisë “Arrest në burg” për Sokrat Vata, alias Sokrat Lipan, të akuzuar për vrasjen, si dhe për shtetasit turq Ezgi Parlak dhe Nuh Mahmutoglu.
Masa e sigurisë “Arrest në burg”, me afat 45 ditë, u caktua edhe për Ildi Cekanin, Ervis Buncin dhe Serxhi Selimin, kamarierë në lokalin “Principote”.
Ndërkohë, u lanë me masën e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” efektivi i policisë Moisid Matushaj, efektivi i burgut të Fierit Lucjano Seferi dhe efektivi i Policisë Bashkiake të Gjirokastrës Romeo Shehu, të cilët punonin si bodyguardë.
E njëjta masë u caktua edhe për kamarierin Murat Zhabina dhe bodyguardin Kristi Koshi.
Në pamjet e hyrjes së personave të arrestuar në Gjykatën e Sarandës, Sokrat Vata u shfaq me kokën lart dhe i bindur ndaj punonjësve të policisë.
Në sfond dëgjoheshin thirrjet e familjarëve, të cilët i ofronin mbështetje të dyshuarit për vrasjen. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.