Vukoviq: Mali i Zi sot mund të mbyllë tre kapituj negociues me BE-në
Deputeti dhe nënkryetari i DPS-së, Ivan Vukoviq, deklaroi se Mali i Zi ka mundësi sot të mbyllë edhe Kapitullin 17, përveç dy kapitujve të planifikuar, nëse një shtet anëtar i BE-së jep pëlqimin gjatë ditës.
Deputeti dhe nënkryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Ivan Vukoviq, deklaroi se ekziston mundësia që Mali i Zi sot të mbyllë tre kapituj negociues në bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, siç njofton portali malazez Vijesti.
Për sot është caktuar Konferenca Ndërqeveritare në Luksemburg, ku fillimisht ishte parashikuar mbyllja e dy kapitujve — 18 (Statistika) dhe 19 (Politika sociale dhe punësimi). Sipas Vukoviqit, mund të mbyllet edhe kapitulli i tretë, 17 (Politika ekonomike dhe monetare), nëse një shtet anëtar i BE-së — që nuk është Kroacia — jep pëlqimin gjatë ditës.
“Edhe pse në faqen e Këshillit të BE-së vazhdon të njoftohet mbyllja e dy kapitujve sot, ekziston mundësia të mbyllim edhe të tretin (17), nëse një shtet anëtar jep pëlqimin gjatë ditës. Pas një shtatori zhgënjyes, do të ishte një hap inkurajues në drejtimin e duhur”, shkroi Vukoviq në rrjetin social X, sipas raportimit të Vijesti-t.
Mali i Zi ka hapur deri tani të 33 kapitujt negociues, nga të cilët 18 janë mbyllur përkohësisht, njofton Vijesti.
Mbyllja e kapitujve të rinj do të shënonte një përshpejtim të rëndësishëm të rrugës evropiane të Malit të Zi, që synon anëtarësimin në BE në vitin 2028.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.